Lidhje

Ish kryebashkiaku Giuliani kandidat i mundshëm për postin e Sekretarit të Shtetit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump dhe nën presidenti i zgjedhur Mike Pence, po diskutojnë rreth emërimeve kyçe në administratën e ardhshme. Këshilltarë të tyre, që janë në dijeni të bisedimeve, thonë se ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani mund të emërohet në postin e Sekretarit të Shtetit.

Janë 4 mijë emërime politike që dyshja e zgjedhur Trump - Pence duhet të plotësojë me ardhjen në pushtet më 20 janar.

Vëmendja kryesore për momentin është përqëndruar në postet kryesore, ato të sekretarëve të Shtetit dhe Mbrojtjes si dhe të drejtorit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare. Këto janë figurat kryesore që përfaqësojnë qeverinë amerikane në botë dhe kanë rol kryesor në luftën kundër terrorizmit.

72 vjeçari Xhuliani, nuk ka përvojë në politikën e jashtme, por ndihmësit e zotit Trump thonë se ai ka dalë si kandidati kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit. Ai ishte një përkrahës i vendosur i zotit Trump në fushatën e gjatë elektorale që përfundoi me fitoren e paparashikuar të miliarderit të pasurive të patundshme, duke dalë shpesh në intervista për të mbështetur kandidaturën e zotit Trump.

Zoti Giuliani, i njohur për retorikën e drejtpërdrejtë, fitoi njohje në mbarë vendin gjatë kohës që shërbente si kryetar i bashkisë së Nju Jorkut. Për shumë amerikanë ai u bë simboli i qëndresës së vendit pas sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington në vitin 2001, ku humbën jetën 3 mijë vetë.

Por emërimi i zotit Xhuliani nuk është i sigurtë. Shtypi amerikan njofton se kanë dalë një sërë problemesh me kandidaturën e tij, për shkak të lidhjeve që firma ligjore në të cilën ai punonte vitet e fundit, ka patur me klientë të ndryshëm të huaj, gjë që mund të përbëjë konflikt interesi për sekretarin e ardhshëm të shtetit.

Ndihmësit e presidentit të zgjedhur thonë se ai po shqyrton edhe kandidatura të tjera, përfshirë ish ambasadorin në OKB, John Bolton, një politikan i krahut të ashpër. Zoti Bolton ka qënë një kritik i vazhdueshëm i politikave të jashtme të Presidentit Obama, duke theksuar se ato e kanë dobësuar imazhin e Amerikës në arenën ndërkombëtare.

Shtypi amerikan thotë se një tjetër përkrahës i zotit Trump gjatë fushatës elektorale, ish gjenerali Michael Fynn, që ka pas drejtuar shërbimin e zbulimit në ushtri, është kandidatura e mundshme për postin e rëndësishëm të Këshilltarit të presidentit për Sigurinë Kombëtare.

Senatori i shtetit të Alabamës Jeff Sessions, një këshilltar i hershëm i kandidatit Trump, mund të emërohet Sekretar i Mbrojtjes ose Prokuror i Përgjithshëm (post i barazvlershëm me atë të Sekretarit të Drejtësisë).

Por zgjedhja e kandidaturave për këto poste u komplikua të martën, kur një figurë kryesore e ekipit të tranzicionit dha dorëheqjen papritur, pa dhënë shpjegime. Mike Rogers, ish kryetari i Komisionit të Zbulimit në Dhomën e Përfqësuesve, këshillonte ndihmësit e zotit Trump për emërimet.

Deri tani zoti Trump ka bërë dy emërime. Ai emëroi në postin e rëndësishëm të Shefit të Kabinetit, kryetarin e Partisë Republikane, Reince Priebus, post ky që zakonisht është përqëndruar në hartimin e axhendës së presidentit.

Por emërimi i dytë, zgjedhja e Stepen Bannon si strateg kryesor i presidentit, ka shkaktuar kritika nga grupe të të drejtave, demokratët dhe republikanët. Zoti Bannon shihet si nacionalist i bardhë dhe para se t’i bashkohej fushatës së zotit Trump ai drejtonte faqen elektronike të ekstremit të djathtë “Breitbart”.

Duke i dalë në mbrojtje zotit Bannon, manaxherja e fushatës Kellyanne Conway e quajti atë një “takticien briliant” duke theksuar se zoti Bannon kishte sherbyer në marinën amerikane dhe kishte një diplomë nga Universiteti i Harvardit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG