Lidhje

Refugjatët presin dimrin në tenda në Greqi


Ndërsa po afron dimri, po vazhdojnë përpjekjet për të ndihmuar refugjatët dhe emigrantët e bllokuar në Greqi që nga mbyllja e kufijve në pranverë. Megjithatë, mijëra familje do të përballen me të ftohtin, me mbrojtje të vetme tendat ku strehohen.

Dimri po afron dhe shumë nga refugjatët në Greqi i frikësohen të ftohtit që po vjen. Në një kamp në të dalë të Athinës është një pjesë e 10 mijë refugjatëve që jetojnë në tenda. Mijëra refugjatë u bllokuan në Greqi që nga pranvera, kur iu ndalua udhëtimi në pjesën tjetër të Evropës me mbylljen e kufijve.

Babai i katër fëmijëve, Azizola Sedarat nga Afganistani, është ndër ta.

“Po vjen stina e ftohtë dhe pak do të ketë rëndësi nëse je brenda apo jashtë tendës. Nuk po na ndihmojnë. Disa vende dinë që jemi njerëz dhe nuk na vrasin mizorisht, por jemi këtu për të vdekur me ngadalë.”

Familja e tij është mundur ta shndërrojë këtë vend në shtëpi, ndërsa kampi planifikon t’i zëvendësojë tendat me kabina në javët e ardhshme.

Por, shumë të tjerë nuk do të jenë me kaq fat. Organizatat joqeveritare thonë ndihma po vjen me shumë ngadalësi.

“Pas gati një viti, reagimi është më i ngadaltë nga sa kemi shpresuar prej Evropës.”

Kanë filluar në mbarë vendin përgatitjet për muajt e ardhshëm, si furnizimi me materiale dhe zëvendësimi i tendave me kabina.

Por, mijëra vetë do të mbeten në tenda dhe magazina dhe shumë mendojnë se qeveria greke duhet të përballojë një pjesë të përgjegjësisë.

“Duhet një plan më i qartë për të reduktuar vendndodhjet me kushte të varfëra dhe për t’i mbledhur njerëzit në hapësira më të përshtatshme për jetesën në kushtet e dimrit.”

Në Schisto, ata kanë qasje në shërbime, madje edhe një palestër të improvizuar, por ajo që kanë më shumë nevojë janë streha me mure solide dhe ngrohtësi.

“Të rriturit nuk e mendojnë shumë gripin apo të ftohtin, por për fëmijët mund të jetë fatale. Toka është e lagësht dhe moti është i ftohtë.”

Megjithëse të lirë për t’u larguar kur të duan, shumica ndjehen të bllokuar këtu.

Ndërsa temperaturat po bien, ata vazhdojnë të shpresojnë për ndihmë dhe për një shans për një të ardhme me më shumë shpresë.

XS
SM
MD
LG