Lidhje

Trump dhe axhenda e republikanëve në Kongres


Udhëheqësit republikanë të Kongresit janë duke premtuar veprime të guximshme, pasi presidenti i zgjedhur Donald Trump të fillojë mandatin, ndërkohë që demokratët po kritikojnë një nga anëtarët e parë të personelit të presidentit të sapozgjedhur që do të punojë me të në Shtëpinë e Bardhë. Republikanët sot rizgjodhën senatorin Mitch McConnell si udhëhqes të shumicës në senat dhe tashmë kanë emëruar ligjvënësin Paul Ryan për një mandat tjetër në postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ndërkohë demokratët zgjodhën senatorin Chuck Schumer nga Nju Jorku udhëheqës të pakicës në senat.

Protestat e udhëhequra nga studentët kundër Presidentit të sapozgjedhur, Donald Trump janë shtrirë deri te ndërtesa e Kongresit, ku Paul Ryan u emërua për një tjetër mandat për postin e Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai foli për suksesin e partisë republikane në zgjedhjet e fundit.

"Mirë se vini në agimin e një qeverie të re të bashkuar republikane. Kjo do të jetë një qeveri e fokusuar në kthimin e fitores së presidentit të sapozgjedhur Trump në një përparim real për popullin amerikan. Ekipi ynë është shumë entuziast, dhe ne mezi presim të fillojmë nga puna. "

Republikanët duan të ulin taksat, të shfuqizojnë pjesë të mëdha të ligjit të kujdesit shëndetësor të presidentit Barak Obama, dhe të eliminojnë disa rregulla kufizuese ndaj ekonomisë. Ata janë të kënaqur që zoti Trump, e jo demokratja Hillary Clinton, do të plotësojnë vendin bosh në Gjykatën e Lartë.

"Ne do ta miratojmë shpejt emërimin e ri në Gjykatën e Lartë," thotë John Cornyn, senator republikan nga Teksasi.

Demokratët thonë se presidenti i sapozgjedhur Trump pati një fillim të tmerrshëm të punës së tij me zgjedhjen e zotit Steve Bannon si këshilltar të tij kryesor politik. Zoti Bannon drejton një faqe interneti konservatore që shërben si një platformë për ndjenjat nacionaliste të të bardhëve dhe kundër pakicave.

"Ky është një njeri që ka shprehur ndjenja raciste, seksiste, anti-semite, kundër komunitetit LGBT etj. Pikëpamjet e këtij njeriu nuk kanë vend në Shtëpinë e Bardhë," tha Debbie Stabenow, senatore demokrate nga Miçigani.

"Për aq kohë sa një kampion i ndarjeve racore është një hap larg Zyrës Ovale, do të jetë e pamundur që të merrën seriozisht përpjekjet zotit Trump për të bashkuar vendin," tha Harry Reid, senator demokrat nga Nevada.

Republikanët thonë se zoti Trump ka të drejtë ta zgjedhë vetë ekipin e tij.

"Ne mbajtën zgjedhjet. Populli amerikan votoi dhe zgjodhi presidentin e tij të ardhshëm," tha senatori republikan, John Cornyn.

Nuk ka shenja të pakësimit të protestave kundër zotit Trump.

"Unë jam i shqetësuar se ai do të ndërtojë murin, do të shfuqizojë ligjin e kujdesit shëndetësor dhe se si do të bëhet vendi ynë në katër vitet e ardhshme," thotë protestuesi Oleado Ukeekwe.

Republikanët nuk e dinë nëse presidenti i zgjedhur Trump do ta ushqejë, apo do ta shuajë retorikën e tij polarizuese që e ndihmoi atë në ditën e zgjedhjeve. Retorika polarizuese mund ta shfokusojë, ose pengojë axhendën e ngjeshur legjislative pas ceremonisë së inaugurimit të tij.

XS
SM
MD
LG