Lidhje

Tirana: Çlirimi apo diktatura?


Në Tiranë, organizata të të burgosurve politikë nga regjimi komunist nderuan 39 intelektualë shqiptarë të vrarë në nëntor 1944.

Ndërkohë, autoritete shtetërore morën pjesë në ceremonitë e përvjetorit të çlirimit të kryeqytetit nga nazistët.

Sheshi "Partizani i Panjohur" u mbush më pas nga nostalgjikë dhe simbole të diktaturës komuniste.

Sapo vjen nëntori grupime të ndryshme të shoqërisë shqiptare nisin polemikat nëse ky muaj simbolizon çlirimin e Shqipërisë nga nazistët apo kapjen e saj nga diktatura komuniste.

Unioni për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë nderoi sot 39 intelektualë shqiptarë të vrarë në kryeqytet 72 vjet më parë në nëntorin e vitit 1944 gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ata ishin pjesë e afro një mijë shqiptarëve të tjerë që humbën jetën gjatë Luftës në Shqipërinë e Mesme.

Kjo dhe një mori ngjarjesh të tjera gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbajnë ende të ndarë shoqërinë shqiptare, duke heroizuar një grup dhe duke poshtëruar një grup tjetër.

Organizatorët pohuan se këta intelektualë të vrarë, mjekë, gjuhëtarë, përkthyes, avokatë, studentë, gazetarë, etj., ende nuk u janë gjetur eshtrat, por e meritojnë një nderim për ndihmesën që dhanë në kulturën dhe jetën e kryeqytetit gjatë luftës.

17 nëntori është e njohur zyrtarisht si dita e çlirimit të kryeqytetit nga pushtuesit nazistë gjermanë, ndaj zyrtarë të parlamentit dhe bashkisë bënë nderimet formale të rastit.

Sheshi para monumentit të partizanit të panjohur që kujton këtë ngjarje më pas mbeti i mbushur për disa orë nga nostlagjikët e diktaturës komuniste.

Ata vendosën aty foto të diktatorit Enver Hoxha dhe flamuj me simbole të bolshevizmit të pashqetësuar nga askush.

Kjo përballje dhe polemikë mes grupimeve sociale e politike përsëritet në Shqipëri sapo vjen nëntori, i cili për një pjesë është çlirimi i vendit nga nazistët gjermanë dhe për pjesën tjetër pushtimi prej komunistëve.

Ishte koha kur komunistët shqiptarë, të ndihmuar nga ata jugosllavë, arritën të marrin pushtetin me dhunë në Shqipëri 6 muaj para se të mbyllej Lufta e dytë Botërore, dhe instaluan një nga diktaturat më të egra gjithë gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Ata morën pushtetin pa zgjedhje demokratike dhe vranë pa gjyq të gjithë kundërshtarët e tyre politikë, duke e izoluar tërësisht vendin dhe duke burgosur e internuar intelektualë e klerikë, shkollarë e punëtorë, dhe çdokënd, që dyshohej se nuk pëlqente pushtetin komunist, apo që mundohej të arratisej nga atdheu.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG