Lidhje

Janinë, 30 muaj burg për shoferët e MPJ shqiptare

  • Raimond Kola

Një gjykatë e Janinës i shpalli sot fajtorë dhe vendosi të dënojë me burgim tridhjetë muaj secilin nga dy shoferët e Ministrisë së Jashtme shqiptare Altin Tafa dhe Agim Asllani. Shoferët u ndaluan të dielën në Pikën Kufitare të Kakavijës pasi në mjetin që ata drejtonin u gjetën disa tekste në gjuhën shqipe që po dërgosheshin në Ambasadën shqiptare në Athinë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve.

Sipas burimeve mediatike greke Konsulli i Shqipërisë në Janinë, paraqiti dokumentet ku shërbimi po kryhej në përputhje me Konventën e Vjenës, por kjo nuk është është pranuar nga gjykata. Prokurori grek, sipas këtyre burimeve, ka pohuar në seancë se librat e gjetur në pjesën e pasme të automjetit ishin objekt i një misioni jo diplomatik pasi nuk ishin paketuar sipas proçedurave diplomatike.

Edhe lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Sipas palës greke në tekstet e librave që po transportoheshin kishte harta të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit.

Në pretencë prokurori kërkoi gjetjen fajtor të dy shoferëve shqiptarë dhe gjykata greke vendosi tridhjetë muaj burgim me kusht për tre vjet për secilin nga dy shoferët. Gjykata vendosi gjithashtu që librat dhe materialet e tjera ilustruese që u kapën nga policia greke, do të konfiskohen, së bashku me automjetin. Seanca u ndoq nga përfaqësuesit ligjorë shqiptarë, ndërkohë që ende nuk ka një reagim nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG