Lidhje

Dënimi i shoferëve në Greqi, reagon Tirana


Ministria e Jashtme

Ministria e Jashtme

Ministria e Jashtme e Shqipërisë reagoi sot për ngjarjen e të dielës së shkuar ku dy shoferë të saj u ndaluan nga autoritetet greke në kufi, ndërsa dje u dënuan me burgim tridhjetë muaj secili, nga një gjykatë në Janinë. Altin Tafa dhe Agim Asllani, u shpallën fajtorë, pasi të dielën e shkuar u ndaluan në Pikën Kufitare të Kakavijës, kur në mjetin që ata drejtonin u gjetën disa tekste në gjuhën shqipe që po dërgosheshin në Ambasadën shqiptare në Athinë për mësimin e gjuhës amtare nga fëmijët e emigrantëve.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë shpjegoi sot se ministri Ditmir Bushati ka qenë në kontakt me homologun e tij grek Nikos Kotzias, që prej ditës së incidentit “duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet në bazë të akteve të së drejtës ndërkombëtare dhe praktikave diplomatike në fuqi”. Ministria nënvizoi se ka ofruar asistencë konsullore dhe juridike për punonjësit e ndaluar duke mundësuar lirimin e tyre. Ndërsa “shpreh keqardhjen që procedura e ndjekur nga autoritetet greke bie në kundërshtim të plotë me rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke cënuar njëkohësisht klimën e miqësisë dhe të besimit mes dy shteteve tona”. Ministria shtoi në deklaratën e saj se “do të vijojë të ndjekë në rrugë diplomatike trajtimin e mëtejshëm të kësaj çështje duke uruar në të njëjtën kohë për një reflektim të shpejtë të palës greke në lidhje me këtë ngjarje”.

Në seancën gjyqësore, prokurori grek, sipas mediave vendore, deklaroi se librat e gjetur në pjesën e pasme të automjetit ishin objekt i një misioni jo diplomatik pasi nuk ishin paketuar sipas proçedurave diplomatike. Edhe lidhur me përmbajtjen e librave, prokurori tha se “ky është një material me përmbajtje anti-greke, dhe kjo mund të rrezikojnë marrëdhëniet mes dy vendeve”. Sipas palës greke në tekstet e librave që po transportoheshin kishte harta të së ashtuquajturës Shqipëri e Madhe. Ambasada shqiptare në Athinë nga ana e saj ka shpjeguar se nuk bëhet fjalë për diçka të tillë, por për një hartë ku tregohen vendet ku ka përqëndrim të popullsisë shqiptare, jo vetëm në rajonin e Ballkanit. Por gjykata vendosi dënimin me tridhjetë muaj burgim me kusht për tre vjet për secilin nga dy shoferët. Gjykata vendosi gjithashtu konfiskimin e librave dhe materialeve ilustruese që u gjendën nga policia greke, si dhe të automjetit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG