Lidhje

Rivlerësimi i gjyqtarëve, Kushtetuesja s’tërhiqet nga pezullimi

  • Armand Mero

Në Shqipëri Gjykata Kushtetuese rikonformoi sot vendimin e saj për pezullimin e ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke hedhur poshtë kërkesën e bërë nga përfaqësuesit e Partisë socialiste për të mundësuar veprimin e ligjit deri në marrjen përfundimtare të vendimit. Trupa e gjyqtarëve u mblodh sot në seancën e parë për dëgjimin e palëve për çështjen e ligjit, i cili konsiderohet si thelbi i të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi.​

​Ndërsa është në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias, Gjykata Kushtetuese po vazhdon nga ana e saj procedurat për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, I cili kundërshtohet nga partia demokratike dhe Unioni i Gjyqtarëve.

Muajin e kaluar Gjykata vendosi pezullimin e ligjit duke vlerësuar se zbatimi i procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që do të merret në shqyrtim vlefshmëria apo jo e ligjit, do të kishte pasoja të pariparueshme. Por që në fillim të seancës së sotme, socialistët kërkuan që masa e pezullimit të hiqej.

Pas një pushimi të shkurtër Gjykata rikonfirmoi pozicionin e saj: “Kjo kërkesë vkerësohet e pabazuar nga Gjykata Kushtetuese dhe rrëzohet kërkesa për heqjen e masës së pezullimit”, deklaroi kryetari Bashkim Dedja.

Seanca vazhdoi me qëndrimin e palëve. Demokratët iu përmbjatën qëndrimit sipas të cilit përmes ligjit të rivlerësimit Qeveria vendos kontrollin mbi gjyqësor: “Ligji jo vetëm nuk mundëson largimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, por krijon mekanizmin e nevojshëm të gjunjëzimit të sistemit gjyqësor përpara pushtetit ekzekutiv dhe shumicës politike, pra kryeministrit dhe krijimin e aleancës mes gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar dhe qeveritarëve të korruptuar”, u shpreh Gazmend Bardhi, këshilltar ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike.

Por për socialistët, kundërshtimi i ligjit nga opozita mbështetet vetëm në rezerva politike: “Kërkesa e Partisë Demokratike e cila në pamje ka kontestimin për procedura të deformuara antikushtetuse ngre kërkesën për të barazuar “dyshimin politik” me shkeljen e Kushtetutës. Kërkesa e Partisë Demokratike ka kundërthënie të cilat bëjnë të qarta vetëm rezervat politike të palës kontestuese. Ajo kërkon të deformojë qëllimin e reformës së drejtësisë dhe nxitjen e kolapsit procedurial të saj në sistemin e drejtësisë”, theksoi deputeti socialist Pandeli Majko.

Sipas përfaqësuesit demokrat, socialistët synojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të ushtrojnë trysni ndaj gjykatës, por komentet e tij u ndërprenë nga kryetari Dedja sipas të cilit “këto janë gjëra që nuk na duhen neve. Janë për një ambjent tjetër jashtë kësja Gjykate. Këtu nuk kemi nevojë për politikë. Neve na duhen elementët kushtetuesë dhe të Konventës europiane të së Drejtave të Njeriut”

Por pak më vonë do të ishte anëtari i Gjykatës Kushtetues Vladimir Kristo i cili hyri në terrenin politik, ndërsa shtroi pyetjen nëse vërtetë ligji është baraz me reformimin e gjyqësorit apo është një zgjidhje pragmatiste: “Mos ka ardhur koha që të reformohet thellë sistemi politik në këtë vend, i cili në vlerësimin tim si profesionist është i deformuar. Unë nuk kam besim, personalisht, se pa reformuar sistemin politik, reformat e rëndësishme mund të kenë efekte afatgjata”.

Deklarimet e anëtarit të Gjykatës u kundërshtuan nga zoti Majko: "Në dijeninë time, asnjëherë Gjykatat Kushtetuese, nuk kanë interpretuar ndryshimet e Kushtetutës. Mendoj se jemi duke diskutuar jashtë temës për të cilën jemi mbledhur. Nuk jemi për të diskutuar proçesin se si u miratuan ndryshimet në Kushtetutë, por se si duhet të zbatohen. Shpresoj që definicionet të natyrave të tillë si “aneks mallrash” apo “eksperimente” janë të papërshtatshme për këtë sallë”.

Ligji ka patur një mbështetje publike nga misionet e asistencës ligjore të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit europian të cilët kanë qenë direkt të përfshirë në hartimin e tij. Sot ambasadori Donald Lu dhe ambasadorja e delegacionit të Bashkimit europian Romana Vlahutin ishin në sallë për të ndjekur seancën. Pezullimi i ligjit praktikisht ka bllokuar të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi, vënia në jetë e së cilës e në veçanti e vetë ligjit, janë kushtet që shoqërojnë rekomandimin e Komisionit europian për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG