Lidhje

Nikky Haley emërohet ambasadore në OKB


Nikki Haley, e lindur nga prindër imigrantë nga India, të cilët i vunë emrin Nimrata Randhawa, është e para grua në postin e guvernatores së Karolinës së Jugut. Ajo është aktualisht guvernatorja në moshë më të re në Shtetet e Bashkuara.

Zonja Haley lindi në Karolinën e Jugut. Ajo filloi të punonte si llogaritare për biznesin e familjes që nga mosha 13-vjeçare dhe më pas ndoqi studimet për llogaritare në Unversitetin Clemson.

Ajo e filloi karrierën në politikë në vitin 2004 kur ishte 32 vjeçe dhe konkurroi për legjislaturën e Karolinës së Jugut. Pasi fitoi zgjedhjet ndër kandidatët republikanë, ajo konkurroi pa rival demokrat dhe fitoi në votime duke u bërë e para indiano-amerikane në një post të zgjedhur në Karolinën e Jugut.

Në vitin 2009, kur vazhdonte të ishte deputete në legjislaturën shtetërore, zonja Haley shpalli synimet për të konkurruar për guvernatore. Ajo mori mbështetjen e kandidatit republikan për president Mitt Romney dhe ish-guvernatores së Alaskës Sarah Palin.

Sipas faqes së saj zyrtare në internet, që kur erdhi në postin e guvernatores në 2011, zonja Haley ka arritur t’i reduktojë në nivelin më të ulët në 15 vjet ritmet e papunësisë në shtetin e saj.

Zonja Haley tërhoqi vëmendje të gjerë kur hoqi nga ndërtesa e Kapitolit shtetëror flamurin e Konfederatës, trashëgimi e së kaluarës raciste të Jugut amerikan, pas masakrës në një kishë afrikano-amerikane në qytetin e Çarlstonit në Karolinën e Jugut.

Guvernatorja Haley nuk e mbështeti zotin Trump gjatë procesit të zgjedhjeve paraprake që përfundoi me zgjedhjen e tij si kandidat presidencial i partisë republikane. Ajo fillimisht mbështeti senatorin e Floridas Marco Rubio, dhe më pas dha mbështetjen e saj për senatorin e Teksasit Ted Cruz.

Pak para zgjedhjeve zonja Haley tha se nuk ishte entuziaste rreth kandidatëve por tha se do të votonte për zotin Trump.

Ajo kritikoi propozimin e tij për ndalimin e myslimanëve që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara dhe përdori platformën kombëtare të përgjigjes së partisë republikane ndaj fjalimit të presidentit Obama mbi gjendjen e vendit, për të qortuar stilin e zotit Trump duke thënë, “disa njerëz mendojnë se duhet të jesh më i zhurmshmi në dhomë për të sjell ndryshim”.

Zoti Trump e ka quajtuar zonjën Haley "të dobët për çështjen e imigracionit" dhe në mars shkroi në Twitter, "Populli i Karolinës së Jugut është i turpëruar nga Nikki Haley!"

Të dy u takuan javën e kaluar në Nju Jork. Trump ka emëruar tashmë Reince Priebus në postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe Steve Bannon si strategjist, ndërsa senatorin nga Alabama Jeff Sessions si prokuror të përgjithshëm dhe ligjvënësin Mike Pompeo si drejtues të Agjencisë Qendrore të Zbulimit, CIA.

Të mërkurën, zoti Trump emëroi edhe një tjetër grua anëtare të kabinetit të tij: ajo është Betcy Devos, në postin e Sekretares së Arsimit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG