Lidhje

Bllokohen refugjatët në kufi me Greqinë


Trafiku i refugjatëve është zhvendosur nga zona e Kakavijës në Gjirokastër drejt pikës së Qafëbotës në Sarandë. Policia shqiptare ka bllokuar një grup refugjatësh nga Afganistani dhe Pakistani që kishin hyrë nga kufiri grek në tokën shqiptare.

Policia tha se po heton rrjetin e organizimit të këtij trafiku që dyshohet se vepron në të dy vendet. Sipas burimeve policore mes të ndaluarve është edhe një shtetas bullgar i dyshuar si i përfshirë në trafik. Ditët e fundit është rritur numri i refugjatëve që synojnë të hyjnë në territorin shqiptar ngs Greqia.

Mjetet greke të informimit e lidhin këtë prurje në rritje të refugjatëve me zhvendosjen e tyre nga disa zona të ishujve grekë ku ka pasur tensione në strehimoret e refugjatëve. Grupe ekstremistësh kanë sulmuar javën e shkuar strehimoret me bomba motov, gurë dhe sende të forta duke rrezikuar jetën e familjeve të ardhura kryesisht nga Siria dhe Afganistani.

Si pasojë e tensioneve dhe frikës shumë prej tyre kanë arritur të largohen dhe të mos kthehen më në strehimore duke iu drejtuar rrjeteve të trafikimimit. Shqipëria shërben si një pikë e përkohshme e kalimit të refugjatëve që hyjnë nga Greqia dhe deri tani shumica e tyre janë kthyer pas drejt Greqisë me praktika të dorëzimit vullnetar nga autoritetet shqiptare. Ndërkohë në kufirin tokësor të Shqipërisë me Greqinë vijojnë të shënohen raste të trafikut të drogës.

Policia kufitare greke e Kostrurit, në veriperëndim të Greqisë, njoftoi se arrestoi dy të rinj shqiptarë me 2 kilogramë kokainë ndërsa në kufirin jugor afër Qafëbotës policia e Sarandës bllokoi një sasi prej dhjetëra kilogramë marijuanë.

Në jo pak raste kohët e fundit policitë e të dy vendeve po gjejnë forma të kombinuara të trafiqeve nga rrjetet kriminale ku së bashku me transportimin e marijuanës kryhen edhe transporte të llojeve të forta të drogës si heroinë dhe kokainë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG