Lidhje

Kulla Trump në Nju Jork shndërrohet në zonë të fortifikuar


Policë me armë automatike; barriera sigurie; rregulla të reja të lëvizjes në rrugë dhe trotuare – ky është realiteti i ri përreth Kullës Trump në Nju Jork, ku ka banuar prej vitesh Donald Trumpi dhe ku tani presidenti i zgjedhur është në vazhdën e ndërtimit të administratës. Ky realitet ka krijuar kokëçarje të shumta për bizneset lokale, banorët dhe turistët e shumtë në Nju Jork:

Pas shpalljes së fituesit të zgjedhjeve presidenciale, zona përreth grataçielës ku jeton zoti Trump me familjen e tij në Nju Jork, u shndërrua menjëherë në një territor të fortifikuar:

"Kemi angazhuar burime të shumta tek Kulla Trump; një numër policësh janë me detyrë aty 24 orë në ditë,” thotë Carlos Gomez, zyrtar në Departamentin Policor të Nju Jorkut.

Tani që ka filluar sezoni i blerjeve dhe skontove të fund-vitit, autoritetet janë të shqetësuara se lëvizja në këtë pjesë të ngarkuar të bulevardit të famshëm 5th Avenue në Nju Jork, do të bëhet edhe më e vështirë.

"Vëllimi i Lëvizjes së këmbësorëve në bulevardin 5th Avenue është ndër më të ngarkuarit në botën perëndimore,” thotë Komisionerja për Transportin në këshillin bashkiak të Nju Jorkut.

Autoritetet lokale kanë ndaluar lëvizjen e kamionëve pranë Kullës Trump dhe është kufizuar edhe lëvizja e këmbësorëve në një perimetër rreth kullës.

"Po ecja në trotuar dhe polici më tha se nuk mund të ecja nga ajo anë, duhet të dilja në anën tjetër,” thotë një këmbësore.

Zoti Trump ka thënë se pas inaugurimit do të vendoset në Shtëpinë e Bardhë, por pritet që të vazhdojë të jetë mjaft i pranishëm në Nju Jork. Disa ditë më parë ai tha se bashkëshortja Melania dhe djali i tyre Barron do të vazhdojnë të jetojnë në Nju Jork deri në përfundim të vitit shkollor.

Tom Cusick i shoqatës së biznesmenëve të zonës thotë se rregullat e reja kufizuese do të kenë ndikim të konsiderueshëm tek vëllimi i biznesit:

"Problemi është se po kufizohet shumë lëvizja e klientëve. Nga bisedat me pronarët e bizneseve mësoj se mund të ketë humbje prej dhjetëra miliona dollarësh vetëm gjatë sezonit të Krishtlindjes. Edhe qeveria lokale dhe shtetërore e Nju Jorkut do të dalë e humbur pasi do të bjerë shuma e taksave të vjela”.

Rënia e vëllimit të biznesit nuk duket se është ndër përparësitë kryesore të kryebashkiakut Bill De Blasio:

"Nuk kam si të them se firmat Gucci dhe Tiffany janë shqetësimi im kryesor në jetë, por e vërteta është se trafiku është bërë problem real”.

Përveç ankesave të banorëve dhe bizneseve lokale, trafiku dhe siguria janë shqetësimi kryesor i autoriteteve lokale me vëmendjen e shtuar që ka tërhequr Kulla Trump në qendër të Manhatanit.

XS
SM
MD
LG