Lidhje

SHBA lejon kompaninë “Airbus” t’i shesë avionë Iranit


Administrata e Presidentit Obama ka dhënë miratimin për lëshimin e një liçence të dytë konsorciumit evropian “Airbus” për t’i lejuar shitjen e dhjetëra avionëve Iranit, pjesë e procesit të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare pas marrëveshjes bërthamore ndërkombëtare të vitit të kaluar. Miratimi nga ana e Shteteve të Bashkuara është i nevojshëm sepse pjesë të avionët janë të prodhuara nga kompani amerikane.

Vendimi vjen më pak se dy muaj para mbarimit të mandatit të administratës së Presidentit Obama. Presidenti i zgjedhur Donald Trump e ka kritikuar ashpër marrëveshjen bërthamore me Iranin duke thënë se ajo ka shumë të meta. Kongresi i kontrolluar nga republikanët po përpiqet të miratojë ligje për ta ndalur zbatimin e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Por, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest të martën tha se vendimi ishte pjesë e një procesi të gjatë që nuk kishte lidhje me zgjedhjet amerikane të tetë nëntorit.

“Nëse do, Kongresi mund të sjellë propozime të reja të cilat ne jemi të gatshëm t’i shqyrtojmë. Megjithatë, ne nuk do të nënshkruajmë ligje të cilat do të minonin aftësinë e komuniteti ndërkombëtar për të vazhduar me sukses zbatimin e marrëveshjes ndëkombëtare për parandalimin e prodhimit të armëve bërthamore nga Irani”.

Në një letër drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon akuzoi Teheranin për përdorimin e avionëve të pasagjerëve për të transportuar armë për grupin libanez militant Hezbollah. Analistët thonë se kjo nuk është një akuzë e re.

Sipas analistëve, çdo administratë e re përpiqet të bëjë ndryshime në politikën e jashtme pasi të marrë detyrën, por për realizimin e tyre duhen muaj të tërë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG