Lidhje

Gjyqtarët dhe justifikimi i pasurive


Zëri i Amerikës do të transmetojë një seri materialesh investigative rreth sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, pasurive të personave që punojnë në këtë sistem, rastet e konfliktit të interesit apo korrupsionit.

Materialet janë një bashkëprodhim i Zërit të Amerikës dhe Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë investigative në Shqipëri, BIRN, gazetarët e të cilit kanë bërë të mundur grumbullimin dhe përpunimin e të dhënave. Raportimet do të mund të gjenden të publikuara dhe në faqet në internet si të Zërit të Amerikës ashtu dhe të BIRN-it në Shqipëri “Reporter.al”

​Sipas të dhënave të marra nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, rezulton se 79 për qind e tyre nuk i justifikojnë pasuritë me të ardhurat e deklaruara gjatë karrierës së tyre.

“Betohem solemnisht, se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndroj, kurdoherë, besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe do të respektoj rregullat e etikës profesionale”.

Ky është teksti i betimit të gjyqtarit në Shqipëri.

Megjithatë, të dhënat e deklaratave të pasurisë së gjyqtarëve të Apelit, të analizuara nga BIRN, zbulojnë se një numër i madh i tyre, dyshohet ta kenë shkelur rëndom këtë betim, gjatë ushtrimit të detyrës në sistemin e drejtësisë.

Institucioni që merret, veç të tjerash edhe me administrimin dhe kontrollin e deklarimit të pasurive të një sërë subjekteve të përcaktuara me ligj, është Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Qëllimi i punës së tij është ndalimi i krijimit të pasurive në rrugë jo-ligjore, në radhët e zyrtarëve dhe nëpunësve publikë, përfshi edhe gjyqtarët.

Analizimi i të dhënave të marra nga Inspektorati tregon se 64 nga 81 gjyqtarë të Apelit, ose 79%, nuk e justifikojnë pasurinë e deklaruar me pagat që kanë përftuar përgjatë karrierës së tyre në sistemin e drejtësisë.

Në tërësi, shuma e pajustifikuar e përmbledhur te 64 gjyqtarët e Apelit është rreth 2.7 milionë dollarë.

Nga numri i gjyqtarëve që kanë rezultuar me probleme, bazuar në të dhënat e vetëdeklaruara, përgjatë një harku kohor prej 10 vitesh, rezulton se 16% e tyre kanë 4 deri në 6 deklarata me probleme, 31% 2 deri në 3 deklaruara dhe 53% kanë vetëm një deklaratë me probleme.

Në përllogaritjen e shpenzimeve vjetore, të subjekteve të deklarimit, përfshirë gjyqtarët e Apelit, Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, përdor mesataren e shpenzimeve mujore për konsum të një familjeje, siç përllogaritet nga Instituti i Statistikave.

Sipas përgjegjëses së Sektorit të Statistikave të Konsumit të Familjeve në këtë institut, Anisa Omeri “shpenzimet mesatare mujore të një familjeje shqiptare, që përllogariten nga një vrojtim statistikor i vazhdueshëm i INSTAT janë 69 mijë lekë. Pra, kjo është sasia e parave e shpenzuar mesatarisht nga një familje shqiptare e përbërë nga 3.8 persona”.

Nëse shpenzimeve të gjyqtarëve u shtohet edhe kjo e dhënë, numri i deklaratave me probleme për dhjetëvjeçarin 2004-2014, arrin në 189 nga 879 deklarata gjithsej, ose 21.5 % të totalit. Si pasojë, vlera e pasurisë së pajustifikuar rritet.

Nga të gjithë gjyqtarët e Apelit, deklaratat e të cilëve janë identifikuar me probleme, inspektorati, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, ka kallëzuar në prokurori për fshehje pasurie vetëm tre prej tyre: gjyqtarët Gjin Gjoni, Alaudin Malaj dhe Petrit Aliaj.

Gerd Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtareve shqiptarë thotë se deklaratat e pasurisë janë një çështje personale e gjithsecilit prej gjyqtareve.

“Unë jam i vetëdijshëm që ka probleme në radhët tona. Ka persona, që mund të kenë probleme me aftësitë e tyre profesionale, mund të kenë probleme me deklarimin e pasurisë, mund të kenë probleme me figurën, por duke qenë se ne jemi gjyqtarë, jemi të prirur të flasim vetëm atëherë kur kemi përballë fakte. Kjo është një përgjegjësi individuale. Persona, të cilët rezultojnë me deklarime të pajustifikuara, kanë detyrim të përgjigjen përpara organeve ligj-zbatuese lidhur me këto deklarime. Por nuk duhet, kurrsesi, që me këta persona, që unë uroj të jenë pak, të përgjithësohet e gjithë trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një kohë kur, klasa politike shqiptare ka miratuar një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë, në mënyrë rrënjësore, procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë.

“Gjyqtarët kanë qenë të parët që kanë kërkuar të kontrollohen. Nuk kanë frikë nga Vetingu, sepse ne në kontroll jemi përditë”, thotë zoti Hoxha.

Një nga drejtimet se si do te vlerësohen pjesëtarët e sistemit të drejtësisë është edhe pasuria e tyre.

Erida Skëndaj është drejtore ehzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

“Vetingu është një ndërthurje mes veprimtarisë së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave dhe veprimtarisë së institucioneve të posaçme, që do të ngrihen, bazuar në këtë ligj. Inspektorati, thjesht harton një raport, një relacion, dhe këtë raport ja vë në dispozicion Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Komisioni, në fund, ka të drejtë të shprehet me rikonfirmim të subjektit në pozicionin e tij aktual, ka të drejtë të pezullojë personin në ushtrimin e detyrës së tij për 1 vit, në rast se ka paaftësi profesionale dhe nevojitet që të marrë trajnime dhe njohuri shtesë në shkollën e magjistraturës, ose, ka të drejtë ta shkarkojë atë, në rast se nuk kalon me sukses procesin e vetingut”, thotë ajo.

Ndërsa ky proces pritet të fillojë, ajo çka njerëzit kanë pritur gjithmonë, vazhdon të jetë më shumë drejtësi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG