Lidhje

Shqipëri, marijuana zbulon arsenalin e armëve


drugs, marijuana, weapons

drugs, marijuana, weapons

Në Shqipëri, kronikat e operacioneve të policisë vetëm në tre ditët e fundit, krahas bllokimit të dhjetëra kilogramëve marijuanë, flasin për një numër të madh armësh dhe municionesh të bllokuara. Automatikë model 56, armë “Zastava”, pistoleta të tipeve te ndryshme, armë gjahu dhe municione janë arsenali që trafikantët e narkotikëve kanë përdorur për ruajtjen e sasive të mëdha të marijuanës.

Në tre operacione të fundit kundër narkotikëve, ku janë sekuestruar rreth 150 kilogramë marijuanë në zona të ndryshme të Shqiëprisë, policia ka zbuluar 13 armë zjarri dhe municione dhe ka arrestuar katër persona për armëmbajtje pa leje. Oficerët shqiptarë të antidrogës vlerësojnë se pothuajse në të gjitha operacionet policore kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, policia ka zbuluar edhe armë të tipeve të ndryshme.

Vlerësimet e agjentëve të policisë flasin se kontigjeti më i madh i armëve të gjetura u përket atyre që u grabitën nga kazermat e ushtrisë shqiptare në trazirat e vitit 1997. Sipas hetimeve paraprake armët kanë qenë në gjendje të papërdorur prej vitesh dhe janë rikthyer nga trafikantët si arsenal mbrojtës i sipërfaqeve të mbjella me marijuanë, kryesisht në zonat e thella malore.

Policia nuk ka njoftuar deri tanë për përplasje të armatosura mes saj dhe trafikantëve, por në disa raste janë shënuar incidente mes vetë grupeve rivale.'

Fushatë për dorëzimin vullnetar të armëve'

Policia në jug të Shqipërisë ka nisur ditët e fundit një fushatë për dorëzimin vullnetar të armëve e cila po përqëndrohet në mesazhe ndërgjegjësuese për komunitetet e banorëve.

Këto zona kanë qenë mjaft të prekura nga armatimi i paligjshëm, pasi jo të gjitha armët dhe municionet që u grabitën nga depot e ushtrisë gati 20 vite më parë u dorëzuan gjatë këtyre viteve.

Shembulli më i qartë ishte Lazarati ku dy vite më parë gjatë operacionit për marrjen nën kontroll të zonës së njohur për kultivimin e marijuanës u zbuluan nga policia 426 armë zjarri duke përfshirë në këtë arsenal pistoleta, automatikë e mitralozë, antitankë, mortaja e granathedhës si dhe mijëra fishekë të kalibreve të ndryshme.

Armët në duart e civilëve janë, sipas ekspertëve të sigurisë, edhe një rrezik për rritjen e kriminalitetit ndaj jetës. Në raportin vjetor mbi kriminalitetin në vend të vitit 2015, publikuar në prill të këtij viti nga Prokuroria e Përgjithshme shqiptare ishin evdientuar 604 raste të armë-mbajtjeve të paligjshme, ku rreth 343 persona ishin dënuar.

Sipas raportit, Prokuroria kishte regjistruar edhe 69 raste të mbajtes së paligjshme të armeve të gjuetisë ku 68 persona ishin dënuar. Armët e gjuetisë kanë nisur të përdoren gjithnjë e më shumë edhe nga trafikantët e narkotikëve pasi përmes tyre arrijnë të maskohen si gjuetarë në terrene malore dhe t`u shpëtojnë dënimeve më të rënda nëse kapen nga policia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG