Lidhje

Një Ditë Falenderimesh ku gjelat e detit janë të ftuar nderi


Një gjel deti i pjekur siç duhet, me përshesh dhe salcë me lëng mishi, do të jetë sot në qendër të tryezave të miliona familjeve në gjithë Amerikën për Ditën e Falenderimeve Por jo në Rezervatin e Kafshëve Poplar Spring në Poolesville të shtetit Maryland. Aty këta shpendë, ishin miqtë e nderit në një drekë me gjelat e detit, në vend që t’i hanë ata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh mori pjesë në këtë drekë.

Çdo Ditë Falenderimesh, miliona amerikanë mblidhen së bashku me të afërmit dhe miqtë për të festuar dhe për të shprehur mirënjohjen për të gjitha të mirat në jetën e tyre.

Për shumë vetë, në qendër të festës janë gatimet tradicionale, si mashurkat dhe patatet e ëmbla, dhe mbi të gjitha gjeli i detit. Zakonisht ai shërbehet me përshesh dhe me një salcë me lëng mishi.

Por në Rezervatin e Kafshëve Poplar Spring në Poolesville të Marylandit, gjelat e detit nuk gatuhen dhe hahen por ruhen dhe vlerësohen.

Dhe në 18 vitet e fundit, vizitorët kanë marrë pjesë në një piknik para Ditës së Falenderimeve ku ata hanë në shoqërinë e gjelave të detit.

Është një aktivitet shumë i pëlqyer që organizohet nga një nga themelueset e rezervatit, Terry Cummings dhe punonjësit e tjerë.

“Është kënaqësi të organizojmë këtë aktivitet, sespe është një mënyrë për të festuar një Ditë Falenderimesh ku nuk hahen kafshë të vrara, që shumë njerëz nuk e bëjnë dot në shtëpitë e tyre”.

Është edhe një shans për t’u mësuar njerëzve për gjelat e detit.

“Donim t’u tregonim njerëzve që gjelat e detit kanë personalitetin e tyre, janë të mrekullueshëm, janë si një qen ose një mace që njerëzit I mbajnë për shoqëri. Dhe donim të tregonim se me ushqime vegjetariane mund të shijosh një drekë shumë të shijshme, pa ngrënë mish kafshësh”.

Ndërsa vizitorët shijonin piknikun pa produkte mishi dhe bulmeti, disa prej tyre tregonin se pse i tërheq ky aktivitet.

Në rezervatin prej174 hektarësh, strehohen edhe rreth 200 kafshë të tjera fermash, të keqtrajtuara ose të braktisura. Mes së cilave dhi, pata dhe shumë derra.

Derrat ishin shumë miqësorë me vizitorët që i përkëdhelnin dhe i ushqenin ata.

Terry Cummings shpreson që pas përvojës në rezervat, vizitorët që nuk janë vegjetarianë, do të frymëzohen që të mendojnë për të filluar një traditë të re të të jetuarit pa ngrënë mishin e kafshëve të vrara.

XS
SM
MD
LG