Lidhje

Turqia paralajmëron BE-në për rihapje të kufijve


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi sot Bashkimin Evropian se nëse vazhdon të kërcënojë vendin e tij, atëherë Turqia do të hapë dyert për qindra mijëra emigrantë drejt vendeve të BE-së.

Një ditë më parë Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që kërkon ngrirjen e negociatave për anëtarësimin e Turqisë.

Duke folur sot në Stamboll në një kongres të grave për drejtësinë, zoti Erdogan reagoi ndaj një rezolute të miratuar dje nga Parlamenti Evropian që kërkon ngrirjen e negociatave për anëtarësimin e Turqisë, për shkak të masave shtypëse pas puçit të dështuar ushtarak të muajit korrik.

“Kur 50 mijë emigrantë mbërritën në kufi, ju vajtuat duke pyetur se çdo të bënit nëse Turqia do të hapte portat e kufirit. Nëse vazhdoni kështu, duhet ta dini se kufijtë do të hapen. As unë dhe as ky vend nuk shqetësohet nga kërcënime boshe,” tha zoti Erdogan.

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian bënë thirrje dje për një pezullim të bisedimeve me Turqinë, për shkak të reagimit të saj të tepruar ndaj puçit të dështuar të muajit korrik. Nuk ka megjithatë gjasa që qeveritë e vendeve anëtare të zbatojnë rezolutën.

Anëtarët e Parlamentit Evropian votuan me 479 vota pro dhe 37 kundër projektrezolutën që i bën thirrje Komisionit Evropian dhe qeverive që të ngrijnë në mënyrë simbolike negociatat, të cilat vazhdojnë prej 11 vitesh.

BE-ja arriti këtë vit një marrëveshje për të rikthyer emigrantët në Turqi, në shkëmbim të një pakete që përfshin ndihmë për refugjatët dhe përshpejtim të bisedimeve për anëtarësim.

Si pjesë e të njëjtës marrëveshje me BE-në në muajin mars Brukseli ra dakord të rigjallëronte bisedimet për anëtarësim.

Të dyja palët nuk presin që Turqia t’i bashkohet BE-së për shumë vite të tjera.

Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë sërish rreth Turqisë kur të takohen në samitin e Brukselit, më 15 dhe 16 dhjetor.

XS
SM
MD
LG