Lidhje

Një universitet i veçantë në Luginën e Silikonit


Silicon Valley

Silicon Valley

Shumica e sipërmarrësve të ardhshëm në fillim frekuentojnë universitetin, pastaj bëjnë masterin për biznes. Por në Luginën e Silikonit, ku inovacionet inkurajohen, ekziston një shkollë vetëm për sipërmarrësit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Lee e cila ishte në Luginën e Silikonit, thotë se shkolla përdor metoda të pazakonta të mësimdhënies.

Shumica e studentëve nuk e dinin se hapi i tyre i parë në Universitetin “Draper” do të ishte të hidheshin në një pishinë me ujë të ftohtë bashkë me një investitor miliarder. Por e pazakonta është normalja në “Draper”. Aima Ohiwerei është studente nga Nigeria.

“Ky nuk është një universitet i zakontë. Por ai të shtyn të pëpiqesh të imagjinosh më shumë nga sa mendon se mund të imagjinosh”, thotë ajo.

Për shembull, kalimi në rrugë me sy mbyllur vetëm me ndihmën e udhëzimeve verbale.

Universiteti “Draper” përpiqet t’i mësojë studentëve të mendojnë të bëjnë diçka jashtë të zakonshmes, thotë themeluesi i tij, investitori Tim Draper.

“Njerëzit duhet të jenë në gjendje të jenë ndryshe nga turma dhe të provojnë gjëra të jashtëzakonshme. Tani që të gjithë jemi të ndërlidhur, dhe komunikojmë me njëri-tjetrin në të gjithë botën, është edhe më e rëndësishme për njerëzit që të jenë në gjendje të bëjnë diçka ndryshe” thotë ai.

Por zoti Draper thotë se për këtë duhet një lloj mënyre të menduari dhe këmbëngulje emocionale.

“Përpiqem t’u shpjegoj njerëzve se të fillosh një biznes është shumë e vështirë. Do të ndesheni me vështirësi të ndryshme dhe ne duam që ju, pasi të përfundoni programin, të jeni në gjendje t’i përballoni ato vështirësi”.

Kjo është pikërisht ajo që Aima shpreson të mësojë në programin shtatë javor.

“Se si të vazhdoj përpara pavarësisht mendimeve negative dhe komenteve negative rreth biznesit...atë dua të mësoj,” thotë ajo.

“Do të doja të mësoja si të isha i patrembur, të vazhdoj pa ndalur” thotë David Lopez, student nga Peruja.

Qindra studentë nga më shumë se 70 vende kanë përfunduar programin. Mosha e tyre varion nga 18 deri në 28 vjeç, dhe ata mësojnë të përgatiten emocionalisht për hapjen e një biznesi duke dëgjuar sipërmarrës në Luginën e Silikonit që kanë patur sukses dhe ata që kanë dështuar. Ata bëjnë gjithashtu disa trajnime të pazakonta, si kjo lojë volejbolli ku rregullat ndryshojnë herë pas here.

“Gjëra të ndryshme fillojnë të ndodhin. Atyre u hapet mendja dhe fillojnë të besojnë se çdo gjë është e mundur,” thotë zoti Draper.

Në përputhje me veçantinë e shkollës, të diplomuarit bëhet superheronj. Ata marrin një pelerinë dhe maskë dhe inkurajohen të ndryshojnë botën me idetë e tyre të veçanta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG