Lidhje

Situatë kritike në Alepo në vazhdën e ofensivës qeveritare


Franca ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të diskutuar situatën në Alepo. Përmes një deklarate, Ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault thotë “ka nevojë më shumë se kurrë për ndalimin e luftimeve dhe për lëvizjen pa pengesa të ndihmave humanitare” për banorët e qytetit të rrethuar. Forcat qeveritare siriane, të mbështetura nga trupat ruse po zhvillojnë një ofensivë të ashpër për marrjen e zonave të qytetit që kontrollohen nga kryengritësit:

Kombet e Bashkuara thonë se deri në 16 mijë civilë janë larguar nga Alepo gjatë ditëve të fundit, pas avancimit të forcave të qeverisë siriane.

Organizata Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut tha sot se të paktën 10 civilë mbetën të vrarë nga një goditje ajrore në Bab al-Nairab, një nga lagjet në lindje të qytetit që ende kontrollohet nga forcat kryengritëse.

Aleppo ka qenë në fokusin e përpjekjeve të ushtrisë siriane, të mbështetur nga goditjet ajrore ruse. Situata ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare pasi mendohet që 250 mijë civilë janë të bllokuar nga rrethimi i forcave qeveritare dhe janë në nevojë ushqimesh dhe ilaçesh.

Në Uashington, Departamenti i Shtetit shprehu “revoltim të thellë” ndaj bombardimeve të fundit kundër Aleppos, duke mbajtur përgjegjëse Moskën:

“Ajo që kemi theksuar vazhdimisht është se Rusia mban përgjegjësinë për ato që po bën regjimi sirian për sa u përket jetëve të humbura në radhët e civilëve dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile, përfshirë edhe spitalet në Alepo dhe përreth tij,” tha dje zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Joh Kirby.

Zëdhënësi John Kirby tha se po vazhdojnë ecejaket diplomatike në Gjenevë për të gjetur mënyrat për hartimin e një plani kohor për armëpushim.

Forcat qeveritare siriane filluan ofensivën drejt Alepos me mbështetjen e aleatëve rusë në fillim të këtij muaji, pas një fushate intensive bombardimesh mbi qytet.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, ushtria siriane ka tani nën kontroll lagjen al-Sakhour disa lagje të tjera të Alepos. Një përfaqësues i organizatës tha se kryengritësit kanë pësuar humbjen më të rëndë që nga marrja e Alepos në 2012. Sipas tij opozita ka humbur 1/3 e territorit që kontrollonte dikur në qytet.

Moska dhe Damasku e përshkruajnë ofensivën si pjesë e luftës kundër terroristëve, megjithëse në zonën e qytetit ku është përqëndruar beteja ka edhe një numër të madh civilësh.

XS
SM
MD
LG