Lidhje

Skandali që përfshin presidenten e Koresë së Jugut


Pa përmendur termat e zakonshëm që përdoren në procesin për shkarkimin, apo dorëheqjen e Presidentit, presidentja jugkoreane Park Geun-hye shprehu sot vullnetin për t’u larguar nga posti me qetësi. Kjo do të ndodhë, pas miratimit të vendimit nga Asambleja Kombëtare e Koresë së Jugut.

Presidentja jugkoreane Park mbajti një fjalim të shpejtë drejtuar vendit. Ajo tha se do t’ia linte të ardhmen e saj, duke përfshirë dorëheqjen, vendimit që duhet të merret nga Asambleja Kombëtare:

"Do të largohem nga posti, siç e kërkon ligji, me t’u krijuar kushtet për kalimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme; kjo do të minimizonte trazirat dhe boshllëkun që do të krijohej pas vendimit.”- tha ajo.

Zonja Park po ashtu përmendi disa kushte të pasqaruara dhe një kohë të pacaktuar për largimin e saj, duke thënë se “do të largohej nga posti i presidentes sipas një plani dhe procedure ligjore” bazuar tek masat që do të merreshin nga partitë në pushtet dhe në opozitë për të “minimizuar kaosin dhe hendekun në punët e shtetit dhe për transferimin e pushtetit në mënyrë të qëndrueshme.”

Profesori i shkencave politike në Universitetin Sungkyunkwan, Cho Wonbin, thotë se komentet e zonjës Park tregojnë se ajo po përpiqet ta zgjasë periudhën e presidencës së saj:

"Duke lënë Parlamentin që të vendosë për kohëzgjatjen e mandatit të saj, presidentja jugkoreane Park Geun-hye mund ta ruajë pushtetin, përmes përfshirjes së ligjvënësve në procesin e vendimmarrjes. Po ashtu, ajo vazhdon t’i mohojë akuzat e ngritura ndaj saj dhe e ka detyruar parlamentin të nisë një debat lidhur me mënyrën se si do të zhvillohet tranzicioni. Unë mendoj e kemi të bëjmë me një taktikë për të zgjatur pushtetin”.

Udhëheqësit e opozitës reaguan me skepticizëm ndaj fjalimit të presidentes. Disa mendojnë se kjo mund të jetë një manovër politike për të vonuar procesin e nisur për shkarkimin e saj dhe për të siguruar mbështetje për partinë e saj Saenuri.

Choo Mi-ae, kreu i Partisë Demokratike të Koresë, la të kuptohet se oferta e presidentes për dorëheqje me kusht nuk ka për t’i ndryshuar planet e opozitës për të paraqitur këtë javë një mocion të përbashkët që do të hidhet në votë; Park do të bëhej presidentja e parë në historinë e Koresë së Jugut, ndaj së cilës zhvillohet një proces hetimor, lidhur me akuzat për korrupsion.

Prokurorët thonë se Park është përfshirë në veprime të paligjshme të kryera nga mikja e saj me influencë Choi Soon-sil dhe ish-ndihmësja Ahn Jong-bum, për t’i detyruar disa kompani të rëndësishme koreane të dhurojnë më tepër se 65 milionë doillarë për dy fondacione.

XS
SM
MD
LG