Lidhje

Tom Price emërohet në krye të Departamentit të Shëndetësisë


Kongresmeni i Xhorxhias Tom Price

Kongresmeni i Xhorxhias Tom Price

Presidenti i zgjedhur Donald Trump emëroi në krye të Departamentit të Shëndetësisë kongresmenin e Xhorxhias Tom Price, një kritik i ligjit për kujdesin shëndetësor të presidentit Barak Obama.

Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump deklaroi se do ta shfuqizonte këtë ligj, por tani ai ka lënë të kuptohet se disa pjesë të tij duhet të qëndrojnë në fuqi.

Presidenti i zgjedhur ka caktuar gjithashtu zonjën Elaine Chao si sekretare të Transportit.

Të hënën, zoti Trump u takua me një tjetër kandidat të mundshëm për sekretar shteti, ish shefin e CIA-s, gjeneralin në pension David Petraeus. Gjenerali Petraeus ka qenë komandant i lartë i SHBA në Irak dhe ka udhëhequr forcat e NATO-s në Afganistan. Ai u detyrua të japë dorëheqjen nga CIA në vitin 2012, pasi i kishte dhënë informacione sekrete biografes së tij, me të cilën kishte një marrëdhënie.

Njoftohet gjithashtu se zoti Trump po shqyrton kandidaturat e një numri politikanësh dhe diplomatësh të tjerë për postin e sekretarit të shtetit, si ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudy Giuliani, ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, kryetari republikan i Komitetit të Senatit për Marëdhëniet Ndërkombëtare, Bob Corker, dhe ish-guvernatori i shtetit Massachusetts, Mitt Romney.

Mundësia e caktimit të zotit Romney ka shkaktuar polemika në ekipin e zotit Trump.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG