Lidhje

Skuadër futbolli e refugjatëve në Greqi


Gjithçka filloi me të rinjtë që luanin futboll në kampin e refugjatëve ku ata jetojnë. Por tani, në sajë të mbështetjes që përfshin një figurë të famshme futbolli të ligës greke, lojtarët e ekipit të sapo-formuar, të quajtur “Refugjatët e Shpresës” shpresojnë për më shumë, t’i bashkohen një lige që të luajnë kundër ekipeve të tjera në Greqi.

Kaluan dete dhe kontinente, por gjatë kësaj mbrëmjeje, pengesa e tyre më e madhe është pozicioni jashtë loje. Skuadra greke më e re e futbollit quhet “Refugjatët e Shpresës”.

Dhe me mbështetjen e miqve të tyre nga pozita të larta, duan të arrijnë diçka.

Lojtarë si 17-vjeçari afgan Fahim Ahmadi kanë sjellë pasionin e tyre për sportin nga vendet e tyre dhe shumica jetojnë këtu – në kampin e refugjatëve Skaramangas, në bregdet pranë Athinës.

Të zhgënjyer dhe pa punë me se të merren, ka patur zënka tek-tuk mes të rinjve nga vende të ndryshme. Por në skuadër gjëra të tilla nuk kanë rëndësi.

“Kur pranohemi në ekip të gjithë janë miqësorë. Nuk ka dallime mes jazidëve, afganëve, sirianëve, apo kurdëve. Të gjithë janë si vëllezër. Duan paqe dhe të jenë shokë” , thotë Fahim Ahmadi, sulmues i skuadrës.

Ajo që dikur ishte lojë e rastësishme tani është bërë diçka më shumë. Të rinjtë udhëtojnë rregullisht jashtë kampeve për të luajtur në një fushë të duhur, duke kaluar nga stadiumi i ekipit të Olimpiakosit, një prej më të mirëve të Greqisë.

Pas disa ndeshjeve miqësore, ata po marrin pjesë në prova për të formuar një skuadër zyrtare me qëllim që të pranohen në një ligë greke në javët e ardhshme.

Mes atyre që mbështesin përpjekjet e tyre është Petros Kokallis, organizata e të cilit, e quajtur “Earth”, ka mbështetur trajnimin e futbollit dhe i cili ka qenë zëvendës presidenti i Olimpiakosit.

“Ky ekip do të konkurrojë në një kampionat grek, kështu që mendoj se është një mundësi e madhe për ata njerëz që të përfaqësojnë komunitetin e tyre në komunitetin e gjerë grek dhe të ndërveprojnë me të” thotë ai.

Në kampin Skaramagas, Organizata “Earth” po ndihmon me trajnimin e të rinjve. Por Petrosi shpreson t’i zgjerojë përpjekjet që këta futbollistë të dalin nga kampi sa më shpesh të jetë e mundur.

“Një nga qëllimet kryesore të programit është të nxirren refugjatët disa herë nga kampet në mënyrë që të marrin pjesë në shoqërinë jashtë tyre” shton Petro Kokallis.

Për këtë grup të paktën, kjo po ndodh. Një lojtar shpjegon pse emri “Refugjatët e Shpresës”, është i përshtatshëm.

“Futbolli më bën të ndihem i gjallë. Luaj me shokët. Sikur me të vërtetë i harroj të gjitha të këqijat. Sikur harroj çdo gjë. Nuk mendoj për të kaluarën, për luftën, për asgjë. Thjesht mendoj për të ardhmen time”, thotë portieri Ali Shaheen.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG