Lidhje

OKB diskuton mbi Alepon


Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë sot një takim urgjent mbi intensifikimin e luftimeve në qytetin verior të Sirisë, Alepo. Forcat ushtarake të regjimit sirian, me mbështetjen e sulmeve ajrore ruse dy javë më parë filluan një operacion intensiv bombardimesh në Alepo. Rreth 250 mijë banorë të bllokuar të Alepos kanë nevojë për ushqime dhe ndihmë mjekësore.

Britania dhe Franca kërkuan organizimin e takimit, të cilin Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitali Çurkin e kritikoi si "fushatë propagandistike."

Kërkesa për organizimin e takimit pason një parashikim të zymtë të bërë të martën nga i dërguari i OKB-së për Sirinë, Staffan de Mistura, i cili i tha Parlamentit Evropian se luftimet në Aleppo janë intensifikuar dhe më shumë civilë janë duke u përpjekur të largohen nga qyeti.

Staffan De Mistura, i dërguari i OKB-së për Sirinë:

"Nuk mund ta mohoj se ky është një intensifikim i përpjekjeve ushtarake dhe nuk mund t'ju them se sa do të zgjasë rezistenca në pjesën lindore të Alepos. Pra, ka një rritje të vazhdueshme të lëvizjeve ushtarake në këtë rajon."

Sekretari i Përgjithshëm i organizatës “Këshilli Norvegjez për Refugjatët”, Jan Egeland tha se banorët e Alepos janë në një situatë të rëndë.

"Ata janë në mes të kësaj beteje të madhe mes dy kampeve. Rreth 250 mijë banorë të qytetit janë prekur nga luftimet dhe çdo ditë shohim imazhe të pasojave të bombardimeve. Më keq se kaq nuk bëhet. Rreth 250 mijë njerëz janë në rënie të lirë. Kjo do të jetë një njollë e zezë në ndërgjegjen e njerëzimit."

Shumë civilë u larguan nga shtëpitë e tyre duarbosh, thotë shefi i OKB-së për çështjet humanitare në Siri, Stephen O'Brien, duke e quajtur situatën "alarmuese dhe trishtuese".

Pjesa lindore e Alepos është e rrethuar nga forcat qeveritare për më shumë se katër muaj. Ushtria siriane dy javë më parë filloi një operacion intensiv bombardimesh në dhe këtë javë mori nën kontroll një nga lagjet kryesore të qytetit.

Alepoja ka qenë objektivi kryesor i përpjekjeve ushtarake të regjimit sirian me mbështetjen e sulmeve ajrore ruse. Rreth 250 mijë civilë të bllokuar nga rrethimi i forcave qeveritare kanë nevoja të mëdha ushqimore dhe mjekësore.

XS
SM
MD
LG