Lidhje

Shtëpia e Bardhë kundër ndëshkimeve për djegien e flamurit


Obama

Obama

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë idenë e presidentit të zgjedhur Donald Trump për të ndëshkuar ata që djegin flamurin amerikan. Të martën zoti Trump postoi në llogarinë e tij në Twitter një koment ku thoshte “Askush nuk duhet lejuar të djegë flamurin amerikan; nëse dikush e bën, duhet të vuajë pasojat: ndoshta t’i hiqet shtetësia ose të futet në burg!”. Në 1989 Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara doli me vendimin se djegia e flamurit mbrohet nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës si formë e shprehjes së lirë.

Djegia e flamurit është përdorur si një ndër format e protestës kundër luftrave apo politikave amerikane që kundërshtoheshin nga grupe të caktuara. Por për disa amerikanë, ky akt përbën përdhosjen e një simboli kombëtar. Veteranët e shohin djegien e flamurit si mungesë respekti për sakrificat e ushtarëve amerikanë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest tha dje se e drejta e amerikanëve për vetë-shprehje në çdo formë që zgjedhin është e sanksionuar në Kushtetutë:

“Liri të tjera të ngjashme janë liria e besimit, fjalës, mbrojtja e institucionit të gazetarisë; të gjitha këto janë të sanksionuara në Kushtetutë dhe duhen mbrojtur”.

Zëdhënësi thotë se këto të drejta duhet të mbrohen pavarësisht nëse shprehin pikëpamje që i mbështesim apo na duken ofenduese.

“Shumë amerikanë, pjesa dërrmuese e tyre, përfshirë edhe unë vetë, e konsiderojmë djegien e flamurit si një akt ofendues. Por ne kemi përgjegjësinë të mbrojmë të drejtat që janë sanksionuar në Kushtetutë,” tha zoti Earnest.

Nuk është e qartë se çfarë u bë shkas për komentin e zotit Trump në Twitter, por analisti Klaus Larres thotë për Zërin e Amerikës se sugjerimi për ndëshkimin e këtyre akteve nuk është ide e mirë:

“Nuk mendoj se duke e trajtuar si akt penal djegien e flamurit e ndihmojmë diskutimin dhe debatin që duhet të zhvillohet mes udhëheqësve të zgjedhur dhe opinionit publik”.

Analisti gjithashtu nuk është pro përdorimit të Twitterit nga presidenti i zgjedhur për të komunikuar politika të rëndësishme:

“Twitteri është një platformë komunikimi që përdorin adoleshentët dhe nuk duhet përdorur nga presidenti i zgjedhur apo politikanë të tjerë me peshë që duan t’u përcjellin amerikanëve bindjet, opinionet apo pikëpamjet e tyre,” thotë zoti Klaus.

Gjatë dekadave të fundit përpjekje të herëpashershme nga politikanë të ndryshëm, përfshirë Hillary Clintonin për të ndaluar me ligj djegien apo përdhosjen e flamurit kanë dështuar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG