Lidhje

Terrorizmi, ulen dënimet për Grupin e Imamëve


Në Tiranë, Gjykata e Apelit e Krimeve të rënda shpalli sot vendimet për të 9 anëtarët e të ashtuquajturit Grup i Imamëve, të akuzuar se kanë rekrutuar besimtarë muslimanë nga Shqipëria për t’i dërguar si luftëtarë të organizatave terroriste në Siri. Për katër prej tyre, të konsideruar si drejtuesë të celulës, trupi gjykues ka rikonfirmuar dënimet e shkallës së parë. Për Genci Ballën dhe Bujar Hysajn, dy imamët e vetshpallur, të cilët drejtonin dy xhami në periferi të kryeqytetit, të cilat vepronin jashtë kontrollit të komunitetit musliman shqiptar, dënimet mbetën respektivisht nga 17 dhe 18 vite burgim. I pandryshuar, 17 vjet burg, edhe dënimi për Gerti Pashjan dhe 13 vjet për Edmond Ballën, të akuzuar si financues të aktivitetit për rekrutim.

Për 5 të tjerët dënimet u ulën nga 2 deri në 6 vjet, pasi kishin pranuar gjykim të shkurtuar. Në total, dënimet ndaj grupit shkojnë në 109 vite e 6 muaj burgim, gati 15 vite më pak se çfarë kishte parashikuar Gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë.

Të akuzuarit u arrestuan në mars të vitit 2014. Prokuroria deklaroi në përfundim të hetimeve se kishte siguruar “prova të mjaftueshme se të pandehurit, kryesisht në vitin 2013, kanë bindur dhe dërguar në Siri qytetarë të ndryshëm shqiptarë, me qëllim bashkimin e tyre me grupet radikale të armatosura që veprojnë në atë zonë”. Ndaj të 9 personave ajo ngriti akuzat e “Rekrutimit të personave për kryerjen e veprave me qëllimeve terroriste ose të financimit të Terrorizmit”; ”Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste” dhe “Nxitja e urrejtjes ose grindjeve”.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG