Lidhje

Xhafaj: Kushtetuesja të zbatojë Opinionin e Venecias


Në Shqipëri kryetari i Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj tha sot se shpreson që Gjykata Kushtetuese të respektojë Opinionin që Komisioni i Venecias pritet të japë për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zbatimi i ligjit është pezulluar nga Gjykata, e cila u vu në lëvizje pas ankimimit të bërë nga Partia Demokratike. Sipas Gjykatës, zbatimi i procedurave të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërkohë që do të merret në shqyrtim vlefshmëria apo jo e ligjit, do të kishte “pasoja të pariparueshme”.

“Po presim me qetësi atë që është konsideruar çelësi i zgjidhjes, ose i qëndrimit që do të duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese, opinionin e Komisionit të Venecias, i cili javën e ardhshme do të jetë publik dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ketë qenë serioze në pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias duke u treguar po aq serioze në respektimin e përgjigjeve që do të marrin nga Komisioni i Venecias”, deklaroi zoti Xhafaj një një komunikim me mediat. “Për ne – theksoi ai - opinioni i Komisionit të Venecias mbetet bazamenti, guri i themelit, mbi të cilin është ndërtuar ky proces, mbi të cilin janë ndërtuar dhe janë miratuar këto amendamente kushtetuese, i gjithë ky kuadër ligjor, për të qenë ato në standardet më të mira ndërkombëtare. Dhe natyrisht kjo do të jetë edhe prova e fortë e gjykatës Kushtetuese për të respektuar atë opinion të këtij institucioni prestigjioz siç është Komisioni i Venecias”.

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryetari Lulzim Basha është shprehur se teksti i ligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që i është dërguar Komisionit të Venecias, ka patur problem me përkthimin në anglisht dhe se i është kërkuar Gjykatës Kushtetuese që të ndërhyjë. Gjykata pranoi se ka patur gabime duke shpjeguar se sot ka ridërguar tekstin e rishikuar në Komisionin e Venecias, sesioni plenar i së cilës është parashikuar për në datata 9-10 dhjetor, ku do të shqyrtohet dhe kërkesa nga Shqipëria.

Një ditë më parë, kryetari i opozitës Basha propozoi që së bashku me partinë socialiste “të amendojmë ligjin pa pasur nevojë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Por sipas zotit Xhafaj “kjo ishte gjëja më absurde që kisha dëgjuar ndonjëherë në jetën time parlamentare që kjo mazhoranca dhe kjo opozitë, pra partitë politike paskan fuqi ta zhbëjnë Gjykatën Kushtetuese. Kërkon që të mblidhen dy partitë politike dhe t’i thonë Gjykatës Kushtetuese, ndërprite ti se ne vendosim kur ne biem dakord”.

Ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është thelbi i reformës në Drejtësi dhe pa zhbllokimin e tij nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër. Zbatimi i reformës dhe në veçanti i ligjit të rivlerësimit është dhe kushti që Komisioni europian ka propozuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG