Lidhje

Ligjvënës republikanë përshëndesin telefonatën me Tajvanin


Kina është vendosur në pozita mbrojtëse pas bisedës telefonike të Presidentit të zgjedhur amerikan me Presidenten e Tajvanit, me të cilën u diskutua rreth një ndihme të mundshme të Uashingtonit që vendi ishull, i izoluar diplomatikisht, të fitojë njohje ndërkombëtare.

Megjithëse Ministri i Jashtëm kinez e përkufizoi telefonatën 12-minutëshe si një gjest të parëndësishëm, ekspertët mendojnë se udhëheqjes komuniste të Kinës tashmë do t’i duhet të presë pasojat e zhvillimeve të mundshme pas inaugurimit më 20 janar të Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara.

Konsulenti politik nga Taipei, Raymond Wu, thotë se ky është një mesazh për Pekinin se Uashingtoni do të zgjedhë të veprojë në mbrojtje të interesit kombëtar amerikan, qoftë nëpërmjet gjesteve simbolike ashtu edhe për çështje substanciale.

Senatori republikan Tom Cotton, i shtetit të Arkansas, lavdëroi telefonatën e zotit Trump me Presidenten e Tajvanit, i cili është i vetmi territor me demokraci kineze.

Disa ligjvënës të tjerë republikanë mbështetën telefonatën, ndër ta edhe ligjvënësi nga Arizona, Matt Salmon, i cili kryeson Nënkomisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Politikën e Jashtme në Azi dhe Paqësor. Zoti Salmon theksoi se Amerika ka qenë gjithnjë kampione e vlerave demokratike dhe lirive individuale dhe se në këtë kuadër i mbështet përpjekjet e Presidentit të zgjedhur në mbështetje të këtyre vlerave në mbarë botën.

Ish-ambasadori amerikan në OKB, John Bolton, e lavdëroi gjithashtu telefonatën, duke shtuar se SHBA-ja duhet të shkundë marrëdhënien e saj me Kinën, e cila po ndërmerr pretendime agresive në Detin e Kinës Jugore. Zoti Bolton i tha kanalit televiziv Fox News se askush në Pekin nuk duhet t’i diktojë Amerikës se si duhet të flasë, dhe se presidenti amerikan duhet të ndjehet i lirë të bisedojë me çdo udhëheqës të huaj, nëse ai mendon se është në të mirë të interesit amerikan.

XS
SM
MD
LG