Lidhje

Integriteti i policisë shqiptare në një studim


Në Tiranë, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim sapo ka përfunduar një studim mbi integritetin dhe korrupsionin policor në Shqipëri.

Pas një seri vëzhgimesh, tregues dhe sondazhe, autorët arritën në përfundimin se në një mjedis me korrupsion të përhapur si Shqipëria, policia është një ndër institucionet më të ekspozuara dhe më të prekura nga korrupsioni.

Integriteti i policisë në një studim
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:24 0:00

Perceptimi i publikut për korrupsionin policor sivjet vazhdon të mbetet i lartë dhe në krahasim me vitin 2014 ka shënuar rritje të lehtë, pohon studimi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim.

Numri i punonjësve të policisë të hetuar dhe dënuar për korrupsion në dy vitet e fundit është rritur, por shumica dërrmuese e tyre janë të rangjeve të ulta dhe të mesme, ndërkohë që ka një rritje të perceptimit të publikut për përhapjen e korrupsionit në rangjet e larta të Policisë.

“Megjithë përpjekjet e vazhdueshme - thuhet në studim - korrupsioni policor nuk ka shënuar ulje të ndjeshme. Qeveria ka bërë një sërë përpjekjesh për trajtimin e korrupsionit në polici, duke ndryshuar legjislacionin, duke shtuar masat antikorrupsion dhe duke afruar më shumë publikun për një angazhim e përfshirje më të madhe të tij përkrah policisë”.

Por masat antikorrupsion u zbatuan pjesërisht dhe hasën pengesa si kultura e rrënjosur e tolerancës ndaj korrupsionit, besimi i ulët i publikut dhe politizimi i luftës kundër korrupsionit.

Autorët e studimit pohojnë se korrupsioni u ul në policinë rrugore, por është rritur në pjesën më të madhe të shërbimeve policore.

Ryshfeti në polici ngelet i pandryshuar si dy vite më parë, por ka një rritje në llojet e tjera të korrupsionit si bashkëpunimi me krimin, përfshirja në trafiqe, manipulimi i provave dhe prokurimet korruptive.

Perceptimi i korrupsionit shënon rritje në shkeljen e rregullave të policisë për rekrutimet, emërimet dhe gradimet.

Përpjekjet për të përfshirë publikun për të denoncuar korrupsionin ka dhënë rezultat dhe numri i ankesave të publikut është shtuar ndjeshëm.

Por u ndjeshëm numri i qytetarëve që mendojnë se drejtuesit politikë e përdorin policinë për qëllime korruptive dhe se vetë policia e përdor pushtetin për qëllime korruptive.

Qytetarët në sondazhe pohojnë se drejtuesit e policisë e tolerojnë korrupsionin dhe se ka një kulturë të tolerancës dhe mosveprimit ndaj korrupsionit brenda radhëve të tyre.

Perceptimi se policia përdoret për qëllime korruptive nga politika dhe se ndikimi i politikës në polici ndikojnë në rritjen e korrupsionit, pohon studimi, është i përhapur edhe tek vetë punonjësit e policisë.

Autorët besojnë se korrupsioni nuk trajtohet në mënyrë sistematike, gjë që do të forconte integritetin dhe kulturën antikorrupsion në radhët e policisë.


XS
SM
MD
LG