Lidhje

Ekipi i zotit Trump minimizon rëndësinë e bisedës telefonike


A campaign sign supporting U.S. President-elect Donald Trump and U.S. Vice President-elect Mike Pence is seen in a demonstration area near Trump Tower in the Manhattan borough of New York, Nov. 20, 2016.
A campaign sign supporting U.S. President-elect Donald Trump and U.S. Vice President-elect Mike Pence is seen in a demonstration area near Trump Tower in the Manhattan borough of New York, Nov. 20, 2016.

Ekipi i Donald Trumpit minimizoi rëndësinë e bisedës telefonike të presidentit të zgjedhur me presidenten Tsai Ing-wen të Tajvanit, me të cilin Shtetet e Bashkuara nuk kanë pasur marrëdhënie diplomatike zyrtare që nga viti 1979.

"Ishte një telefonat mirësjelljeje," tha nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence dje në programin "This Week" të rrjetit ABC. "Është pak e çuditshme për mua që presidenti Obama mund t'i shtrinte dorën një diktatori vrasës në Kubë vitin e kaluar dhe të përshëndetej si një hero që e bëri këtë, ndërsa presidenti i zgjedhur Donald Trump merr një telefonatë mirësjellje nga një udhëheqëse e zgjedhur në mënyrë demokratike në Tajvan dhe bëhet gjithë kjo polemikë. "

Njoftimi të premten përmes Tweeterit i zotit Trump për një bisedë telefonike me presidenten Tsai shtroi pikëpyetje nëse ai synon të ndryshojë njohjen e gjatë të politikës së Pekinit për "Një Kinë" që përjashton çdo njohje zyrtare të Tajvanit.

Por, megjithëse tha se polemika është e ekzagjeruar, zoti Pence nuk kundërshtoi faktin se zoti Trump synon një sjellje më agresive të Shteteve të Bashkuara ndaj Kinës për tregtinë dhe çështje të tjera.

"Ai do të luftojë për vendet amerikane të punës dhe ne do të ndalim humbjet ndaj Kinës dhe vendeve të tjera", tha zëvendës presidenti i zgjedhur.

Zoti Trump ka qenë i hapur për qëndrimin e tij ndaj Kinës gjatë fushatës.

"Ne kemi një deficit prej 500 miliardë dollarësh në tregtinë me Kinën," tha Trump në muajin maj, ndërsa kërkoi emërimin si kandidat republikan për president. "Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë Kinën të përdhunojë vendin tonë, dhe kjo është ajo që po bëjnë. Kjo është vjedhja më e madhe në historinë e botës. "

Deri tani, Kina ka përcjellë një përgjigje të përmbajtur ndaj thirrjes telefonike mes zotit Trump dhe zonjës Tsai.

"Ishte vetëm një marifet nga ana e Tajvani", tha ministri i Jashtëm kinez Wang Yi.

Pavarësisht mungesës së lidhjeve formale, Shtetet e Bashkuara dhe Tajvani kanë bashkëpunuar në çështjet ushtarake për dekada të tëra. Nëse zoti Trump synon të zgjerojë kufijtë e kësaj marrëdhënieje, si pjesë e premtimit të tij për t'u sjell më ashpër me Kinën, ka të ngjarë të mbetet një mister deri sa ai të marr detyrën muajin e ardhshëm.

Asnjë president amerikan apo president i zgjedhur nuk ka folur me një udhëheqës të Tajvanit duke filluar nga koha e presidentit Richard Nixon në vitin 1978 për të njohur politikën e Pekinit për "Një Kinë" që e konsideron Tajvanin vetë-qeverisës si një nga provincat e saj.

Media shtetërore kineze tha se "mungesa e përvojës" së zotit Trump çoi në pranimin e thirrjes telefonike, por paralajmëroi se shkelja e politikës "Një Kinë" do të "shkatërrojë" marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Megjithë kundërshtimet e Kinës, presidenti Barack Obama autorizoi një vit më parë një shitje prej 1.83 miliardë dollarësh armë mbrojtëse për Tajvanin, duke përfshirë dy fregata, automjete amfibe, dhe sisteme anti-ajrore.

XS
SM
MD
LG