Lidhje

Maqedoni, pritjet për koalicionin qeveritar


Maqedoni, pritje per koalicionin qeveritar
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:10 0:00

Maqedoni, pritje per koalicionin qeveritar

Dy parti politike në Maqedoni kanë paraqitur ankesa për parregullsi në zgjedhjet parlamentare të së dielës, ndërsa presin ndryshimin e rezultatit në të mirë të tyre. Ndërkohë, analistët mendojnë se partitë shqiptare e kanë në duar fatin e qeverisë së re dhe se ato nuk duhet hequr dorë nga kushtet e tyre. Në një zhvillim lidhur me zgjedhjet në Maqedoni, Ambasada amerikanë në Shkup ka hedhur poshtë shkrimet në disa mjete maqedonase të informimit për ndikimin e ambasadorit amerikan në proces.

Maqedoni, pritje per koalicionin qeveritar
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:10 0:00

Lidhja Social Demokrate në Maqedoni pret nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve t’ia miratojë ankesat për parregullsi zgjedhore në zonën e gjashtë, ku shpreson të ketë korrigjime dhe të fitojë një mandat shtesë në parlament. Edhe Lëvizja Besa ka paraqitur ankesa për parregullsi në zonën e dytë dhe të gjashtë zgjedhore. Nëse miratohen ankesat, rinumërohen votat në qendrat e votimit, dy partitë shpresojnë në ndryshimin e rezultatit në të mirë të tyre; në të kundërt do të ankohen tek Gjykata Administrative. Afatet kalojnë brenda pak ditësh.

Ndërkaq, nga komunikimi i fshehtë ndërmjet partive në lidhje me formimin e koalicionit qeveritar nuk mund të mësohet ndonjë gjë në këtë fazë se ciliat janë ofertat. Në këtë kuadër, nuk dihen as hollësitë e një takimi që duhej të ishte i fshehtë në Tiranë i drejtuesve të partive shqiptare nga Maqedonia me kryeministrin Edi Rama.

Sidoqoftë, pozita e partive shqiptare edhepse me numër mjaft më të ulët mandatesh në parlament për dallim nga zgjedhjet e kaluara, nga analistët shikohet si një aset vendimtar për të ardhmen e qeverisë së Maqedonisë.

Ish-ambasadori Arsim Zekolli vlerëson se rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit po krijon një gjendje kaotike, në vend të shpresës për zgjidhjen e krizës politike që po zgjatë tashmë dy vjet. Ai thotë se deri sa nuk përfundon i gjithë procesi dhe rezultati i zgjedhjeve të bëhet zyrtar, është herët të parashikohet përbërja e ardhëshme e qeverisë së re të Maqedonisë:

Por, ajo që mund të thuhet që tani është se jetëgjatësia e një qeverie të tillë në këto rrethana, gjithsesi është e diskutueshme nëse do të jetë më shumë se për disa muaj”, thotë z. Zekolli.

Analisti i shikon pozitivisht qëndrimet e partive të reja opozitare shqiptare për të këmbëngulur që së pari të zgjidhen disa çështje jetike për shqiptarët, si zyrtarizimi i gjuhës shqipe apo lirimi nga burgu i shqiptarëve të akuzuar në mënyrë të padrejtë në lëndët "Monstra", "Kumanova", e ndonjë tjetër, si dhe rregullimi me ligj i punës së Prokurorisë së posaçme, si kusht për të hyrë në koalicion qeveritar.

“Pasi që ky është kusht i votuesve shqiptarë për t’i përcaktuar disa të panjohura nga e kaluara, të cilat e ngrakojnë qytetarin e rëndomtë shqiptar. Nga ana tjetër, duhet të jemi realistë. Për jetësimin e atyre kërkesave duhet një qeveri e qëndrueshme me një mandat të përcaktuar qartë nga përbërja e partive të cilat do të marrin pjesë në atë kabinet, por edhe barazimi me nevojën urgjente për qetësimin e gjendjes së brendshme, për shmangien e tensioneve të mëtutjeshme. Në këtë moment të tensionimit të gjendjeve ky kontekst politik në mes partive të mos shndërrohet në diçka tjetër më të keqe që mund të jetë ai etnik. Partitë shqiptare për një kohë të gjatë kërkonin që të kenë votën vendimtare në zhvillimin e jetës politike të Maqedonisë dhe ja, mund të thuhet se tani e kanë dhe nga vota e tyre do të varet edhe përbërja e qeverisë së re”, thotë ish-ambasadori Zekolli.

Zoti Zekolli shikon një llojshmëri përreth LSDM-së që reflekton përbërjen dhe realitetin e vendit, për dallim nga zoti Gruevski i cili po ngre tonet nacionaliste që refuzon, sipas analistit, afrimin me shqiptarët dhe qytetarët e tjerë.

Ndërkohë, ambasada amerikane në Shkup ka hedhur poshtë pretendimet e një pjese të shtypit proqeveritar maqedonas që shkruante se ambasadori Jess Baily të kishte ndikuar tek Komisioni Shtetëror i Zgjedheve. Ambasada e shikon me shqetësim njoftimin jo të saktë, duke theksuar se tani nuk është koha për lajme të rreme dhe konspiracione. "Ambasadori nuk ka vizituar KSHZ-në as nuk është takuar me ndonjë prej anëtarëve të tij", thuhet në një reagim ku theksohet poashtu mbështetja për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent të zgjedhjeve, që përfshin shqyrtimin e ankesave sipas ligjeve të vendit.

XS
SM
MD
LG