Lidhje

Trump takohet me gjigandët e teknologjisë


Donald Trump mbajti të mërkurën një takim me udhëheqësit e disa kompanive gjigande të Luginës së Silikonit. Takimi pritej të shërbente pjesërisht për t’u njohur me ta dhe pjesërisht për të krijuar frymë më miqësore. Kjo duke patur parasysh marrëdhëniet e hidhura që presidenti i zgjedhur ka me shumë prej gjigandëve të teknologjisë në vend.

Në Kullën Trump në qytetin e Nju Jorkut, presidenti i zgjedhur u takua me krerët e kompanive të tilla si Apple, IBM, Microsoft dhe Alphabet, firmën që ka në pronësi Google-in.

Presidenti i zgjedhur Trump nuk ka lidhje të ngushta me drejtuesit e kompanive teknologjike dhe disa prej tyre ai i ka kritikuar ashpër gjatë fushatës së tij. Prandaj ky takim mund të përcaktojë se si do t’i ketë marrëdhëniet afatgjata me ta.

Gjatë fushatës, ai u bëri thirrje mbështetësve të bojkotojnë firmën “Apple” për shkak të qëndrimit të saj ndaj çështjes së privatësisë, dhe u zotua se do ta “detyronte Apple-in të fillojë të prodhojë kompjuterët dhe iPhonët e tyre në SHBA. Presidenti i zgjedhur pati një zënkë me drejtorin ekzekutiv të Facebook-ut, Mark Zuckerberg mbi reformën e imigracionit. Zoti Trump gjithashtu akuzoi Jeff Bezos-in, drejtorin ekzekutiv të kompanisë Amazon për përdorimin e gazetës Washington Post, të cilën Bezos e ka në pronësi, si mjet për të shmangur taksat.

Industria e teknologjisë, një nga sektorët më të mëdhenj të ekonomisë së Shteteve të Bashkuara, mund të luajë një rol kryesor që t’i japë një shtysë iniciativës së punësimit të presidentit të zgjedhur.

Katër burime e përshkruan takimin si një seancë prezantuese që do të përqëndrohej në çështje të përbashkëta, dhe jo me mosmarrëveshjet.

“Nëse ai mund të reformojë kodin e taksave dhe të negociojë marrëveshje më të mira të tregtisë, komuniteti i teknologjisë i Shteteve të Bashkuara do të bëhet më i fortë dhe më konkurrues se kurrë”, tha në një deklaratë drejtorja ekzekutive e kompanisë Oracle, Safra Catz, e cila do të marrë pjesë në takim.

Fitorja befasuese e zotit Trump muajin e kaluar alarmoi shumë punonjës të kompanive të teknologjisë.

Shenja të këtij shqetësimi u shfaqën në një letër të hapur të nënshkruar të martën nga më shumë se 200 punonjës nga fusha e teknologjisë. Në letër thuhej se ata nuk do ta ndihmojnë administratën e zotit Trump të krijojë një bazë të dhënash për të kontrolluar njerëzit bazuar në fenë e tyre, ose për të lehtësuar deportimet në masë.

XS
SM
MD
LG