Lidhje

Prokuroria ankimon lirimin e Lulzim Berishës


Në Shqipëri Prokuroria e Apelit në Durrës ka ankimuar sot në Gjykatën e Lartë, vendimin e gjykatës së Apelit, për lirimin me kusht të ish kreut të ‘Bandës së Durrësit’ Lulzim Berisha. Prokuroria në argumentat e saj thekson se “nuk legjitimohet vendimi i lirimit me kusht për shkak të natyrës së veprave të rënda penale; për shkak të uljes së pajustifikuar të kohës së dënimit ga gjykatat për të dënuarin e burgosur për vepra të renda penale; dhe për shkak të llogarive jo të sakta për kohën e burgimit”.

Një ditë më parë Prokuroria e Durrësit nisi hetimet me iniciativën e saj për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me praktikat gjyqësore, gjithashtu edhe për praktikat administrative të ndjekura nga ana drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, në bazë të të cilave është vendosur me lirimin me kusht të të dënuarit Lulëzim Berisha”. Sipas Prokurorisë “ka dyshime të arsyeshme që zyrtarë të caktuar mund të kenë kryer veprime në kundërshtim me ligjin, me qëllim krijimin e kushteve për pranimin e kërkesës për lirim para kohe me kusht të Berishës”.

Janë një seri vendimesh të debatueshme të dhëna nga disa gjykata të vendit në favor të Lulzim Berishësh, të cilat ngrejnë dyshime dhe për shkelje ligjore, që çuan fillimisht në ndryshimin e dënimit nga burg të përjetshëm, në 25 vite burgim, dhe më pas reduktime të njëpasnjëshme, deri në vendimin e 5 Dhjetorit të këtij viti për lirimin e tij me kusht.

Debatet mbi lirimin e parakohshëm të Lulzim Berishës shpërthyen pas publikimit nga ana e BIRN dhe Zërit të Amerikës të një materiali mbi veprimet dhe vendimet e shumta të Gjykatave shqiptare, si dhe të një letre të përdorur gjatë procesit që çoi në lirimin e tij, dërguar nga Bashkia e Durrësit, ku shkruhej se kjo Bashki “duke vlerësuar gjendjen e kësaj familjeje, sjelljen e tyre në komunitet, si dhe mundësinë e lirimit të të dënuarit, garanton punësimin e të dënuarit Lulzim Berisha, në pamundësi për t’u punësuar në ndonjë subjekt privat”.

Partia Demokratike reagoi me forcë duke kërkuar shkarkimin e kryebashkiakut socialist të Durrësit Vangjush Dako i cili sipas saj, “ka përdorur pushtetin dhe zyrën që i kanë besuar qytetarët e Durrësit për të liruar nga burgu një kriminel që ka vrarë dhe ka terrorizuar qytetarët e Durrësit. Vangjush Dako ka zgjedhur me vetëdije të bëhet njësh me krimin dhe kundër qytetarëve”.

Nga ana e tij, kreu i Bashkisë së Durrësit dha një shpjegim jo bindës për rekomandimin e lëshuar për Lulzim Berishën, duke folur për një procedurë rutinë.“Ne i ofrojmë çdo të dënuari që dënohet me punë vullnetare në komunitet, i ofrojmë mundësi punësimi në ndërmarrjet tona, me punë vullnetare, që do të thotë ata punojnë pa shpërblim nga ana jonë sepse kanë dënim nga gjykata. Nuk jemi në që vendosim. Gjykata i vendos në mënyrë të detyruar. Kërkesa ishte që familja ka apo jo sjellje të mirë në shoqëri. Ne pyetëm administratorët tanë dhe na thanë që nuk kanë probleme me komunitetin”, u shpreh Dako për gazetarët. Por shpjegimi i zotit Dako nuk përputhet me rastin e Lulzim Berishës. Ai është liruar me kusht dhe jo me detyrim për punë në komunitet, që përgjithësisht jepet për ata që kryejnë vepra penale që nuk paraqesin një rrezikshmëri shoqërore.

Kryeministri Edi Rama e përmendi shkarazi në parlament gjatë ditës së djeshme këtë rast ndërsa po akuzonte opozitën për bllokimin e procesit të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “S’keni kurajon të tregoni me gisht se kush e liroi Lulzim Berishën, por vraponi të thoni e liroi Bashkia e Durrësit”, u shpreh zoti Rama duke ju drejtuar deputetëve të opozitës në sallë.

XS
SM
MD
LG