Lidhje

Erdogan: Rrjeti i Gulenit pas vrasjes së ambasadorit rus


Presidenti turk Recep Taip Erdogan thotë se vrasja e ambasadorit rus në Ankara “pa diskutim” ishte akt i një pjes pjesëtarëve të rrjetit të klerikut mysliman Fehtullah Gulen.

“Nuk ka nevojë ta fshehim faktin se ai ishte anëtar i rrjetit FETO,” tha zoti Erdogan në një konferencë për shtyp, ku përdori shkurtimin me të cilin i referohet Ankaraja grupit të zotit Gulen.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu i tha Sekretarit të Shtetit John Kerry gjatë një bisede telefonike se Turqia beson se vrasësi ka lidhje me Fethullah Gulenin, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që është fajësuar për puçin e dështuar në muajin korrik.

Por konferenca për shtyp e mbajtur të mërkurën shënon të parën herë që presidenti turk e bën një akuzë të tillë.

Rusia tha se është tepër herët për të nxjerrë përfundime rreth vrasësit të ambasadorit të saj në Turqi.

Një polic jashtë orarit të shërbimit qëlloi me armë ambasadorin Andrei Karlov të hënën në Ankara. Një dëshmitar i tha Zërit të Amerikës se ai bërtiti: “Mos harroni Alepon! Mos harroni Sirinë! Për sa kohë që trojet tona nuk janë të sigurta, edhe ju nuk do të jeni të sigurtë!”.

Zëdhënësi i presidentit të Rusisë, Dmitry Peskov, tha sot se nuk duhet të nxitohen për të nxjerrë konkluzione përpara se të kryhet një hetim i përbashkët.

Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë, duke i cilësuar si qesharake akuzat për përfshirje apo mbështetje të kësaj vrasjeje, për shkak të prezencës së zotit Gulen në SHBA.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Joh Kirby tha të martën se Sekretari Kerry kishte shprehur shqetësim për retorikën që po dëgjohet në Turqi:

“Duhet t’u japim mundësi hetuesve të bëjnë punën dhe duhet të lejojmë faktet dhe provat të na tregojnë rrugën, pa u hedhur në konkluzione. Çdo aludim se Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur, apo janë pas këtij akti qoftë edhe indirekt është plotësisht qesharak,” tha zëdhënësi Kirby.

Trupi i ambasadorit rus Andrei Karlov mbërriti dje në Moskë, i shoqëruar nga bashkëshortja e zotit Karlov.

XS
SM
MD
LG