Lidhje

Donald Trump dhe lidhjet ekonomike SHBA-Rusi


Fitorja e zgjedhjeve presidenciale nga republikani Donald Trump ka rritur shpresat në Rusi për përmirësimin e marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit që mund të ndihmojnë investimet dhe tregtinë, veçanërisht në qoftë se lehtësohen sanksionet perëndimore të vendosura për shkak të konfliktit në Ukrainë. Kompanitë amerikane dhe ato ruse në panairin e investimeve Technopolis në Moskë, të mbështetur nga qeveria ruse, janë optimistë rreth perspektivave për biznesin.

Nëse sanksionet perëndimore do të hiqeshin, kompania e re ruse “Texel”, e cila ka krijuar një sistem të skanimit tre dimensional do të përjetonte një rritje në tregun e brendshëm.

"Do të kishte më shumë fonde në dispozicion për kompanitë që do t’u mundësonte atyre të shpenzonin më shumë për teknologjitë e reja dhe për projekte të teknologjisë së re me rrezikshmëri më të lartë, dhe për këtë arsye do të kishte rritje në shitjeve," thotë Sergey Klimentyev i kompanisë “Texel”.

Nga ana tjetër, nëse monedha ruse, rubla, rimëkëmbet, atëherë eksportet do të mund të dëmtoheshin.

"Kostoja e produkteve tona do të rritej dhe ne do të bëheshim më pak konkurrues, për shembull në krahasim me kompanitë kineze."

Pjesëmarrja e vogël në panairin rus të investimeve Technopolis nuk ka dëmtuar optimizmin e të pranishmëve.

Kompania amerikane “Neophotonics” bashkëpunon me kompaninë shtetërore ruse të nanoteknologjisë “Rusnano” në prodhimin e produkteve për rrjetet e komunikimit me shpejtësi të lartë.

Pavarësisht sanksioneve dhe tkurrjes së ekonomisë, ata janë të sigurt se biznesi në Rusi po përmirësohet, dhe po shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit.

"Bashkëpunimi dhe veprimtaria e biznesit në tregun rus është një përfitim i madh për kompaninë ndërkombëtare. Jo vetëm për kompanitë amerikane, por edhe për kompanitë e vendeve të Bashkimit Evropian."

Analistët thonë se heqja e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë do të jetë një proces gradual dhe me kushte ndaj Kremlinit për përmirësimin e marrëdhënieve me Ukrainën.

Ndërkohë, ekonomia e Rusisë, e varur nga eksportet e lëndës së parë, është e ndjeshme ndaj çmimeve të ulëta të naftës.

"Për këtë arsye reformat serioze janë të nevojshme. Dhe këtu qëndron problemi. Reformat duhet të jenë me karakter të dyfishtë, si politike ashtu edhe ekonomike," thotë Mikhail Subbotin nga Instituti RAS për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Ekonominë Botërore.

Mungesa e vullnetit politik dhe tensionet me Perëndimin ka të ngjarë të çojnë në vazhdimin dhe ndoshta edhe forcimin e sanksioneve.

XS
SM
MD
LG