Lidhje

Udhëheqësit e krishterë luten për paqen në botën e trazuar


Udhëheqësit fetarë dhe botërorë po festojnë Krishtlindjen e këtij viti duke shpresuar për më shumë paqe në botë. Në mesazhin e tij të përvitshëm apostolik, Papa Françesku iu drejtua botës me thirrje për të vendosur në rajonet ku po zhvillohen luftëra, si dhe dënoi terrorizmin që po mbjell frikë dhe vdekje në mbarë botën.

Në ditën e Krishtlindjes, Papa Françesku u lut për paqe në një botë të errësuar nga luftërat dhe kërcënimi i terrorizmit. Duke folur nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit, ai iu drejtua njerëzve që vuajnë prej luftës në Siri, në veçanti “në luftimet e tmerrshme” në Aleppo. Papa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të negociojë për të gjetur një zgjidhje për këtë konflikt. Papa foli edhe për terrorizmin duke e përshkruar si një mbjellës të frikës dhe vdekjes në qytetet dhe vendet e mbarë botës.

Fjalimi i tij i përvitshëm apostolik, i mbiquajtur “Urbi et Orbi”, u ndoq nga dhjetëra mijëra njerëz që ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Në qytetin Bethlehem, të Bregut Perëndimor, stolat ishin të gjithë të zënë në Kishën e Lindjes, e cila është ndërtuar në vendin ku të krishterët besojnë se ka lindur Jezusi. Shërbimi u udhëhoq nga Patriarku kryesues Latin i Jeruzalemit. Mijëra pelegrinë dhe turistë i drejtohen kësaj kishe çdo vit për të festuar Krishtlindjen.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe zonja e parë Michelle Obama e kaluan festën në Hawaii, ku po pushojnë së bashku me dy vajzat e tyre, Sasha dhe Malia. Si edhe në vitet e kaluara, zonja Obama iu përgjigj telefonatave nga fëmijë amerikanë që presin dhurata nga Santa Claus, që fëmijët e presin të vijë çdo vit nga Poli i Veriut mbrëmjen përpara Krishtlindjes.

Ndërsa, Presidenti i zgjedhur Donald Trump, dhe bashkëshortja Melania, e pritën lindjen e Krishtit në një kishë në Florida, ku kanë kurorëzuar edhe martesën e tyre në vitin 2005. Zoti Trump ka kundërshtuar përdorimin e termit “gëzuar festat” në vend të “gëzuar Krishtlindjen”, duke e konsideruar si një shenjë se krishtërimi është duke u sulmuar. Ai ka premtuar se kur të marrë detyrën e presidentit do ta korrigjojë këtë tendencë.

XS
SM
MD
LG