Lidhje

Evropa përgatitet për fushatë disinformimi dhe propagande ruse


Në një klimë akuzash të përsëritura se Rusia është përpjekur të ndikojë dhe përmbysë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, Evropa po përgatitet për një skenar të mundshëm ndërkohë që në një numër vendesh afrojnë zgjedhjet. Franca, Gjermania dhe Holanda zhvillojnë votime në 2017 dhe analistët thonë se Moska po përpiqet të ndikojë tek rezultati. Korrespondenti Henry Ridgewell njofton nga Londra:

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të konkurrojë për një mandat të katërt në 2017. Si arkitektja kryesore e sanksioneve kundër Rusisë, analistët e shohin zonjën Merkel si një udhëheqëse evropiane që Moska do të dojë ta eliminojë nga skena politike.

Zonja Merkel tha këtë muaj se Gjermania duhet të përgatitet t’u përgjigjet përpjekjeve për të manipuluar zgjedhjet:

“Duhet t’i informojmë njerëzit dhe të shprehim bindjet politike qartë. Po ashtu nuk duhet t’ia lejojmë vetes të irritohemi. Thjesht duhet të jemi të vetëdijshëm që ekziston ky rrezik dhe të mësohemi të ekzistojmë në këto kushte”.

Pika e dobët e Kancelares Merkel janë afro një milion refugjatë dhe migrantë që mbërritën në Gjermani në 2015. Analistët thonë se Rusia do të përpiqet të ndezë ndjenjat anti-imigracion.

Në janar të këtij viti, një histori e sajuar për një vajzë ruso-gjermane të quajtur Lisa, e cila ishte përdhunuar nga një grup imigrantësh, shkaktoi protesta në Gjermani dhe akuza nga Moska se autoritetet po fshihin faktet. Vajza më pas pohoi se kishte gënjyer. Ka të ngjarë që Rusia të shtojë fushatën e disinformimit para zgjedhjeve, thonë analistët:

“Mund ta përqëndrojnë fushatën në Francë dhe Gjermani. Fakti që zonja Merkel është kaq shumë e identifikuar me politikën e pranimit të refugjatëve në Gjermani, e bën atë më të prekshme nga kjo fushatë,” thotë analisti Ian Bond.

Në anketa është rritur mbështetja për partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, që flet kundër imigracionit. Sulmi i së hënës mund ta rrisë edhe më shumë mbështetjen:

“Nëse kemi një situatë tjetër kaosi me refugjatët, nëse shkelet marrëveshja BE-Turqi për refugjatët, edhe kjo mund ta rrisë presionin ndaj Gjermanisë,” thotë Thorsten Benner i Institutit të Politikave Publike Globale.

Në mbarë Evropën parti të ekstremit të djathtë janë përpjekur të forcojnë lidhjet me Moskën. Marine Le Pen, udhëheqëse e Frontit Kombëtar në Francë, mori 10 milionë dollarë kredi nga një bankë ruse për të zhvilluar fushatën. Analisti Bond thotë se partitë e ekstremit të djathtë kanë si synim të përbashkët shpërbërjen e Bashkimit Evropian.

“Nga pikëpamja ruse, nëse arrin të përçash Evropën, nëse veçon shtete të caktuara dhe i bën të ndjehen të dobët, apo se duhet t’i hapin rrugën Rusisë, për Moskën është fitore e madhe,” thotë analisti Ian Bond.

Sapo Donald Trumpi të vijë në Shtëpinë e Bardhë në janar, uniteti evropian do të vihet në provë nga të gjitha anët.

“Vetë Trumpi, si Putini, siç duket preferon marrëdhënie dypalëshe me vendet evropiane, pa u marrë me organizata shumëkombëshe. Prandaj nuk mendoj se ka për t’u mërzitur shumë nëse dobësohet Bashkimi Evropian si rezultat i aktivitetit rus në zgjedhjet evropiane gjatë muajve të ardhshëm,” thotë analisti Bond.

Megjithëse zoti Trump ka thënë se aleatët e Shteteve të Bashkuara në NATO duhet të paguajnë më shumë për mbrojtje, ai nuk ka aluduar se dëshiron dobësimin e Bashkimit Evropian.

Udhëheqësit evropianë shpresojnë se, duke u rënë këmbanave të alarmit që herët, çdo përpjekje nga Moska për të ndikuar tek zgjedhjet mund të parandalohet. Por analistët paralajmërojnë se propaganda ruse është vënë tashmë në lëvizje.

XS
SM
MD
LG