Lidhje

Pakësohet niveli i mërkurit tek peshku ton


Të hash peshk është mirë. Peshku ka pak yndyrë dhe ata lloj peshqish që kanë më shumë yndyrë, janë të pasur me Omega-3, e njohur ndryshe si “yndyrë e mirë”, që është e nevojshme për trupin e njeriut; por që jo gjithmonë organizmi e prodhon në nivelet e duhura.

Disa lloje peshqish, në veçanti toni, ka gjithashtu nivele të larta mërkuri, të cilin e merr nga uji dhe nga ushqimi. Kërkimet e reja tregojnë se përpjekjet për të pastruar oqeanin, po ndikojnë njëkohësisht, edhe tek pastrimi i tonit në Oqeanin Atlantik.

Industria e tonit është një nga më fitimprurëset në industrinë e konservimit të peshkut në mbarë botën. Disa kërkime të reja tregojnë se toni po bëhet një ushqim më i sigurtë për t’u ngrënë.

Shkencëtarët në Universitetin “Stony Brook” kanë studjuar në laborator nivelet e mërkurit tek toni nga viti 2004 deri në vitin 2012:

"Pamë se përqëndrimi i mërkurit tek peshku i kapur në vitin 2012 ishte më i ulët se sa ai i kapur në vitin 2004 dhe po ashtu edhe në periudhën mes tyre. Pra, kemi një rënie të vazhdueshme të përqëndrimit të mërkurit tek peshku i kapur në mes viteve 2004-2012.” – thotë profesori Nicholas Fisher.

Prof. Fisher thotë se pakësimi i niveleve të mërkurit shkon paralelisht me pakësimin e çlirimit të mërkurit nga uzinat me qymyr në Shtetet e Bashkuara:

"Vëmë re se ekziston një koinçidencë e habitshme, se pakësimi në çlirimin e mërkurit ishte thuajse identik me rënien e nivelit të tij tek toni.”

Ky është një lajm i mirë dhe le të kuptohet se përpjekjet për të pastruar ujin dhe ajrin janë duke patur një ndikim pozitiv.

"Ndoshta diçka nga gjërat më të mira është se thuasje sa herë që flitet për ndotjen, gjendja vjen duke u keqësuar. Në këtë rast kemi përmirësim, pra kjo është diçka e mirë.”- thotë studjuesi Daniel Madigan.

Kjo nuk e ndryshon faktin që toni i kuq është një specie që po rrallohet, por tregon se përpjekjet për pastrimin e mjedisit janë duke sjellë rezultate.

XS
SM
MD
LG