Lidhje

Sekretari Kerry parashtron vizionin për Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ndërmori të mërkurën një përpjekje të minutës së fundit për të ruajtur parimet e përgjithshme të një zgjidhjeje me dy shtete mes Izraelit dhe palestinezëve, për të cilën ai paralajmëroi se ishte në "rrezik serioz".

Në një fjalim në Departamentin e Shtetit, zoti Kerry mbrojti gjithashtu vendimin e SHBA javën e kaluar për të abstenuar nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që dënonte vendbanimet izraelite në territorin palestinez.

Votimi në OKB "ishte për ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete", tha zoti Kerry. "Pikërisht për këtë jemi përpjekur, për të ardhmen e Izraelit si një shtet hebre dhe demokratik."

Udhëheqësit izraelitë, si dhe ligjvënës demokratë e republikanë në SHBA e kritikuan këtë veprim, duke thënë se SHBA nuk po e mbrojnë Izraelin, aleatin e tyre të vjetër.

Në fjalimin e tij zoti Kerry i hodhi poshtë kritikat, duke thënë se Izraeli do të jetë gjithmonë një aleat i ngushtë, por vendbanimet janë një pengesë e madhe për një marrëveshje paqeje në të ardhmen.

"Miqtë duhet t’ia thonë njëri-tjetrit të vërtetat sado të hidhura qofshin dhe miqësitë kërkojnë respekt të ndërsjellë", tha zoti Kerry, duke këmbëngulur se status quo-ja është duke çuar drejt një zgjidhjeje me një shtet që "shumica e njerëzve nuk e dëshirojnë."

Izraelitët dhe palestinezët "mund të zgjedhin të jetojnë së bashku në një shtet, ose mund të ndahen në dy shtete,” tha zoti Kerry."Këtu është thelbi i realitetit: në qoftë se zgjidhja është me një shtet, Izraeli mund të jetë ose hebre, ose demokratik, por ajo nuk mund t’i ketë të dyja," tha ai.

Reagim i ashpër

Aktiviteti i dendur diplomatik në ditët e fundit të presidencës së Barak Obamës, shkaktoi një reagim të ashpër nga udhëheqësit izraelitë.

Kritikat vazhduan edhe të martën, kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump sulmoi përsëri administratën Obama për trajtimin e Izraelit, aleatit të vjetër të SHBA.

"Ne nuk mund të vazhdojmë të lejojmë që Izraeli të trajtohet me një përbuzje të tillë totale dhe mungesë respekti,” shkruante zoti Trump në Twitter, duke shtuar: "Qëndro i fortë Izraeli, 20 janari po afrohet shpejt."

Edhe udhëheqësit izraelitë reaguan ndaj fjalimit të zotit Kerry, madje para se ai të mbahej, duke e quajtur atë një hap anti-demokratik.

XS
SM
MD
LG