Lidhje

Presidenti i Maqedonisë fajëson udhëheqësit për krizën politike


Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov gjatë një fjalimi drejtuar vendit, u shpreh me kritika të ashpra ndaj drejtuesve politikë të cilët po e mbajnë, sipas tij, të bllokuar vendin, për shkak të interesave të ngushta partiake.

Ai tha se “politikanët e papërgjegjshëm i ulën interesat shtetërore në interеsa të ngushta partiake, ndërsa tha se partizimi i madh solli polarizimin në shoqëri. Gazetarët dhe biznesmenët u shndërruan në pré të krizës politike”, theksoi ai.

Fjalimin tradicional të fundvitit, presidenti e mbajti për herë të parë nga zyra e tij, pasi parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet nuk është konstituar ende.

Zoti Ivanov u ndal tek kriza politike që ka përfshirë vendin që prej dy vitesh, duke thënë se zgjdhja e saj gjendet brenda institucioneve të shtetit dhe se nuk ka zgjidhje jashtë-institucionale. Ai vërejti se drejtues të papërgjegjshëm, siç tha, anashkaluan parlamentin për të hyrë, si rrjedhojë, në kurthin e marrëveshjes së Përzhinës. “Institucionet e sigurisë u bllokuan për shkak të Marrëvesjes së Përzhinës”, tha presidenti maqedonas. Ndërkaq, marrëveshja e Përzhinës, e cila u arrit verën e kaluar ndërmjet katër partive më të mëdha me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar, kishte për qëllim dhënien fund të krizës politike. Ndër reformat që dolën prej aty, ishte dhe themelimi i Prokurorisë së posaçme e cila do të hetonte skandalin që doli nga përgjigjimet e paligjshme të zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe shtetërorë.

Por, presidenti Ivanov e quajti Prokurorinë e posaçme si selektive dhe të polarizuar që u shndërrua në një instrument, sipas tij, të kundërshtarëve politikë.

Në lidhje me kërkresat e partive politike shqiptare që nisin nga zyrtarizimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet, deri tek federalizimi i vendit, presidenti Ivanov theksoi se asnjëherë nuk do të pajtohet që Maqedonia të bëhet shtet binacional. “Maqedonia është shtet unitar i të gjithë qytetarëve", tha ai, ndërsa për dygjuhësinë tha se “Kjo çështje është mbyllur me amandamentin 5”.

Presidenti maqedonas, nga ana tjetër u bëri thirrje dy partive më të mëdha maqedonase, VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Social Demokrate që të ulin retorikat.

Fjalimi i tij i fundvitit bëhet në një kohë paqartësish politike kur ende nuk dihet nëse partia, e cila fitoi më tepër mandate në zgjedhjet e 11 dhjetorit, VMRO-DPMNE do të mund të formojë qeverinë e re me partitë shqiptare.

Të premten pritet të mblidhet parlamenti i ri. Brenda dhjetë ditësh, pas konstituimit të parlamentit, presidenti i vendit duhet t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë, partisë që ka fituar dhe që mund të krijojë shumciën e nevojshme në parlament. Për formimin e qeverisë nevojiten 61 vota. VMRO-DPMNE ka 51, LSDM 49, BDI 10, Lëvizja Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 vende në parlamentin e Maqedonisë.

XS
SM
MD
LG