Lidhje

Turqi, publikohet videoja, mendohet se është i dyshuari i masakrës


Mediat turke publikuan një video ku duket një njeri që ato thonë se është personi i dyshuar, i cili vrau 39 vetë gjatë sulmit të Vitit të Ri në një klub nate të Stambollit.

Videoja duket të jetë nxjerrë nga një telefon celular që mbante personi në fjalë duke ecur në sheshin Taksim të Stambollit. Ai shikon për një farë kohe drejt kamerës, por pa folur.

Është e paqartë se kur është regjistruar videoja.

Autoritetet kishin publikuar më parë një imazh të paqartë të personit të dyshuar, të nxjerrë nga kamerat e sigurisë.

Mediat turke njoftuan sot se autoritetet kanë ndaluar dy shtetas të huaj në aeroportin Ataturk të Stambollit në lidhje me sulmin, por pa dhënë hollësi të tjera.

Zëvendëskryeministri turk Numan Kurtulmus u tha gazetarëve të hënën se tetë persona të tjerë ishin arrestuar.

Sulmi filloi në orët e para të së dielës kur një person i armatosur vrau një oficer policie dhe një civil jashtë klubit Reina para se të hynte brenda. Mbi 600 veta ishin në klub dhe disa prej tyre u hodhën në ujërat e Bosforit për t'u shpëtuar plumbave.

Klubi Reina në lagjen Ortakoy, një zonë në ngushticën e Bosforit është i njohur për praninë e personave të famshëm dhe të huajve.

Autoritetet thanë se personi që kreu sulmin mund të jetë përzier me njerëzit që iknin nga klubi. Përveç 39 të vrarëve, rreth 70 veta mbetën të plagosur.

XS
SM
MD
LG