Lidhje

Dëborë dhe ngrica, vështirësi në të gjithë vendin


Në Shqipëri, përkeqësimi i kushteve të motit kanë krijuar vështirësi të shumta thuajse në të gjithë vendin, por me problem të theksuara kryesisht në zonën verilindore të vendit. Gjatë natës së mbrëmshme temperaturat kanë pësur rënie të ndjeshme, ndërsa rreshjet e shtuara të dëborës kanë komplikuar më tej situatën për qarkullimin e automjeteve. Ndërsa akset kombëtare janë përgjithësisht të kalueshme, por duke përdorur zinxhirit, zona të shumta rurale janë praktikisht të bllokuara.

Autoritetet kanë shpjeguar se strukturat e emergjencave civile dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë të angazhuara për të pastruar rrugët kombëtare nga dëbora si dhe duke ndihmuar automjetetet në vështirësi. Ministri i Transporteve Sokol Dervishaj ka folur për një situatë emergjente duke kërkuar kufizimin në maksimum të lëvizjeve.

Kushtet e këqija të motit kanë sjellë probleme dhe në furnizimin me energji elektrike. Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, njoftoi për një difekt në linjën 110 kV Kalimash - Kukës, e cila ka lënë pa furnizim qytetin e Kukësit dhe rrethinat e tij. Me anë të një deklarate OST sqaroi se ekipet e specialistëve të saj “vazhdojnë punën pa ndërprerje në terren, duke ezauruar çdo mundësi për rikthimin e furnizimit me energji të kësaj zone”. Gjatë ditës së djeshme një prej punonjësve të OST, pas disa orësh punë në terren, në temperatura deri -9 gradë, kaloi në gjendje hipotermie, dhe u dërgua me urgjencë në spitalin e Kukësit ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën.

XS
SM
MD
LG