Lidhje

Makinat me naftë, shkaktarë kryesorë të ndotjes së ajrit


Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se 92% e popullsisë së botës jeton në zona me nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Shumë qytete në Evropë kanë premtuar të heqin gradualisht makinat me naftë, si dhe ekziston shpresa që makinat elektrike do të hyjnë më shumë në treg me përmirësimin e jetëgjatësisë së baterive. Londra është një ndër kryeqytetet më të ndotura të Evropës.

Gazi toksik që mbizotëron në rrugët e Londrës dallohet nëpërmjet kamerave me rreze infra të kuqe. Kompania që filmoi pamjet, “Flir Systems”, thotë se aty tregohet ndotja e ajrit në kohë reale.

Ekspertët thonë se këmbësorët shpesh nuk e kuptojnë se sa afër ndodhen pranë burimit kryesor të ndotjes.

“Një nga mesazhet e vështirë për t’ja përcjellë publikut është se ndotja më e madhe e ajrit nuk shikohet me sy. Nuk është si smogu i viteve ’50-të dhe ’60-të që dukej aq shumë sa nuk të linte të shikoje asgjë tjetër.”

Atëherë, çfarë është ajo që marrim në mushkëritë tona në rrugët plot me trafik?

“Problemi më i madh për mushkërinë janë pjesëzat e avujve të naftës, që janë shqetësimi kryesor për shëndetin publik. Është shkaku i rreth 30 mijë vdekjeve të parakohshme në Mbretërinë e Bashkuar. Një tjetër element i dëmshëm është dioksidi i nitrogjenit, edhe ky nga nafta.”

Makinat me naftë shikohen si shkaku kryesor i ndotjes së ajrit në zonat urbane. Përpjekjet e kompanisë gjermane Volkswagen për të manipuluar testin e gazrave që çlirohen, ka risjellë në vëmendje heqjen graduale nga përdorimi të motorëve me naftë.

“Është e qartë se industria e makinave po e ndjen presionin e krizës së shëndetit publik prej ndotjes në qytetet e mëdha dhe pas skandalit Volkswagen. Prandaj po shikojnë për të prodhuar modele të reja elektrike.”

Gjatë panairit të makinave në Paris, makinat elektrike dominonin në skenë. Firma Volkswagen ka njoftuar se synon të shesë 2 deri në 3 milionë makina elektrike deri në vitin 2025.

“Rregullat për këtë industri mund të bëhen më të forta dhe standartet kundër ndotjes më të larta, duke e përshpejtuar kështu tranzicionin drejt makinave elektrike.”

Organizata Botërore e Shëndetësisë botoi këtë muaj të dhëna që tregojnë se 9 nga 10 njerëz jetojnë në vende ku ndotja i kalon kufijtë e lejueshëm.

Ekspertët thonë se makinat elektrike mund të jenë zgjidhja, duke qenë se elektriciteti prodhohet në mënyrë të rigjenerueshme.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG