Lidhje

SHBA, fillon procesi i konfirmimeve për kabinetin Trump


Senatori i Alabamës Jeff Sessions, i emëruar si prokuror i përgjithshëm nga presidenti i zgjedhur Donald Trump, mbrojti të kaluarën e tij në fushën e të drejtave civile dhe deklaroi në një seancë të Kongresit të martën se e kupton historinë e ndërlikuar të të drejtave të votës për afrikano-amerikanët në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Sessions është i pari në kabinetin e ardhshëm të zotit Trump që u përball me një seancë konfirmimi në Senat. Ai i siguroi kolegët në Komisionin e Çështjeve Juridike të Senatit se do të punojë për të zbatuar në mënyrë agresive ligjet amerikane të votimit, “pa penguar ose diskriminuar” dhe se do të garantojë integritetin e procesit zgjedhor në vend.

"Si banor i jugut e kam parë me sy diskriminimin," tha zoti Sessions. "E kuptoj se ka qenë diçka e gabuar. Ne duhet të bëjmë punë më të mirë."

Disa protestues në sallën ku po zhvillohej seanca hodhën parrulla në shenjë proteste ndaj emërimit të zotit Sessions dhe policia me vështirësi i nxorri ata jashtë.

Zoti Sessions, konservator që ka shërbyer në senat për katër mandate rresht, u zotua të mbështesë ligjet që mbrojnë pakicat dhe personat LGBT, edhe pse në momente të ndryshme gjatë 20 viteve si ligjvënës ka votuar kundër legjislacionit që mbështetej nga këto grupe.

I njohur si kundërshtar i vijës së ashpër ndaj imigracionit të paligjshëm, Zoti Sessions premtoi se do të ndjekë penalisht "fuqishëm dhe në mënyrë efektive" të gjithë ata që shkelin kufirin.

70-vjeçari Sessions ka qenë përkrahës i hershëm i zotit Trump. Ai u bë senatori i parë që mbështeti fushatën e tij presidenciale në një kohë kur Uashingtoni politik mendonte se manjati miliarder nuk kishte asnjë shans për të fituar emërimin republikan për president, aq më pak të mundte demokraten Hillary Clinton.

Të mërkurën, zhvillohet mes të tjerash seanca e konfirmimit për ish-shefin ekzekutiv të firmës ExxonMobil, Rex Tillerson, i emëruar për postin e sekretarit të shtetit, ndërsa të enjten përballë senatorëve do të jetë i emëruari për sekretar të mbrojtjes, gjenerali James Mattis dhe të tjerë.

Donald Trump ka thënë se Senati do t’i miratojë të gjitha kandidaturat e tij për kabinetin qeveritar pasi, siç u shpreh ai, ato janë të gjitha të nivelit të lartë.

Por demokratët thonë se të emëruarit e zotit Trump kanë qenë të ngadalshëm në procesin e plotësimit të dokumentacionit të nevojshëm dhe në transparencën e nevojshme për çështjet e tyre financiare, të nevojshme për etikën e zyrtarëve të lartë të administratës.

XS
SM
MD
LG