Lidhje

Uashingtoni përgatitet për inaugurimin e presidentit

  • Deborah Block

Qindra mijëra vizitorë do të jenë në Uashington më 20 janar për inaugurimin e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Përveç se do të ndjekin ceremoninë në shkallët e Kapitolit, shumë prej tyre do të marrin pjesë në paradën e inaugurimit dhe në ballo të ndryshme.

Nga dhomat e hoteleve luksoze tek dyqanet e suvenireve, të gjithë në Uashington janë duke u përgatitur për të pritur mbështetësit e presidentit të zgjedhur, të cilët vijnë nga i gjithë vendi.

Edhe pse disa hotele kanë ende vende, në hotelin më prestigjoz dhe më të shtrenjtë të Uashingtonit, “Four Seasons”, të gjitha dhomat janë shitur me çmime shumë më të larta për inaugurimin. Kjo suitë për shembull kushton 16 mijë dollarë nata. Dhe, për një qëndrim prej minimumi 4 netë, gjatë javës së inaugurimit, fatura shkon në 64 mijë dollarë.

"Duhet të kesh një stil të caktuar jetese për të përballuar minimumin prej katër netësh me një çmim që fillon nga 2 mijë dollarëshi. Do të vijnë njerëz nga partitë politike, nga biznesi, nga bankat dhe pothuajse nga çdo lloj aktiviteti tregtar", thotë menaxheri David Bernard

Do të vihet re mungesa e shumë yjeve të Hollivudit, që ishin të pranishëm gjatë dy inaugurimeve të Presidentit Obama. Shumica e të ftuarve për inaugurimin e zotit Trump do të vijnë nga shtetet që mbështetën presidentin e zgjedhur. Do të ketë edhe vizitorë nga jashtë. Me rritjen e çmimit në hotele, janë vënë në dispozicion edhe shërbime shtesë.

"Kemi përgatitur ngrohës duarsh, kapele dhe të tjera si këto,” thotë zoti Bernand.

Hoteli ka përgatitur dhurata të përditshme për çdo dhomë, si kjo kuti ku është përdorur flori 24 karat me simbolin e vulës presidenciale. Ndërsa disa vizitorë marrin dhurata të shtrenjta, të tjerë blejnë suvenire më të lira.

Këtu, në Qendrën e Mirëseardhjes në Uashington, menaxheri i dyqanit shpreson që suveniret me zotin Trump të shiten shumë gjatë javës së inaugurimit. Ndër më të shiturat janë kapelet e bejsbollit.

“Kapelja me fjalët Ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe shitet shumë. Përgjithësisht, shiten mjaft kapelet e bejsbollit."

Disa janë blerë nga këta studentë të shtetit Xhorxhia, simpatizantë të zotit Trump.

"Mendoj se ai ka disa cilësi të mira. E di se ka edhe të këqiat e tij me të cilat shumë njerëz nuk pajtohen. Por mendoj se ai do t’i sjellë mjaft këtij vendi në aspektin ekonomik. Si biznesmen, ai mund të bëjë shumë për ekonominë”, thotë Henry Jones.

Jones nuk është i vetmi që flet për politikë në dyqan. Pas zgjedhjeve, si republikanët edhe demokratët nuk ngurrojnë të shprehin pikëpamjet e tyre.

"Republikanët, zakonisht flasin për para, ndërsa demokratët flasin më tepër për çështje të ditës, si plani shëndetësor Obamacare", thotë Dexter Morse

Uashingtoni është një bazë e fortë e demokratëve, prandaj shumë njerëz këtu nuk janë të gëzuar që do të kenë zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, mbështetësit e presidentit të zgjedhur në aktivitetet inauguruese do të kenë rast të dërgojnë kartolina në shtëpitë e tyre me festimet për zgjedhjen e njeriut që ata simpatizojnë.

XS
SM
MD
LG