Lidhje

Qytetet amerikane dhe emigracioni


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka premtuar të godasë emigracionin e paligjshëm dhe të deportojë 2 deri në 3 milionë emigrantë pa dokumente, për të cilët ai ka thënë se kanë të kaluar penale. Beteja për emigracionin është zhvendosur drejt qyteteve dhe shteteve amerikane, ku një pjesë po përgatiten për një betejë me qeverinë federale.

Presidenti i zgjedhur Donald Trump paraqiti planin e tij për emigracionin vjet në muajin gusht:

“Cilido që ka hyrë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara do të deportohet. Kjo do të thotë të kesh ligje dhe shtet. Ndryshe, nuk kemi shtet.”

Që atëherë, zoti Trump është tërhequr në shifrën 2-3 milionë emigrantë me të dhëna penale. Por, kjo nuk i qetëson të gjithë.

Mbi 2.7 milionë emigrantë pa dokumente u deportuan gjatë mandatit të zotit Obama, dhe aktivistët po protestojnë ndaj një zbatimi më të ashpër të ligjit gjatë presidencës Trump.

“Tashmë është realitet që ai do të jetë president për katër vitet e ardhshme. Duam të gjejmë pika të përbashkëta aty ku mundemi. Por, jemi gjithashtu të përgatitur të mbrojmë begatinë e Kalifornisë,” thotë Kevin De Leon, i Senatit të Kalifornisë.

Ai thotë se zhvillimi i Kalifornisë ndihmohet prej politikave miqësore ndaj emigracionit.

Kalifornia ka angazhuar ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Eric Holder, tashmë jurist privat, për të luftuar administratën Trump për çështje si emigracioni apo ndryshimet klimatike.

Disa qytete si Los Angeles, kufizojnë bashkëpunimin me agjensinë federale për emigracionin dhe kufijtë.

“Sot, po përçojmë mesazhin se Los Angeles është i bashkuar për të drejtat e emigrantëve; se do të qëndrojmë të fortë, do të mbrojmë njerëzit tanë, pasi Los Angeles është një familje dhe një komunitet,” thotë Emily Robinson, e Shkollës Ligjore “Loyola” që po ndihmon emigrantët.

Megjithë frikën nga komentet gjatë fushatës, Luis Quinones, anëtar i Trupës Këshillimore Hispanike të zotit Trump, i tha Zërit të Amerikës se të vetmit që duhet të kenë frikë janë emigrantët kriminelë dhe myslimanët që duan të bëjnë dëm.

“Do të ndjekim ligjërisht myslimanët ekstremistë që nuk veprojnë brenda fesë së vërtetë dhe zgjidhjeve paqësore. Cilido që dëshiron të na bëjë keq, nuk është i mirëpritur,” thotë zoti Quinones.

Kalifornia është një ndër 12 shtetet që u lejon emigrantëve pa dokumenta të marrin patentë shoferi dhe shumë qytete dhe shtete të kontrolluara prej demokratëve thonë se do të bëjnë edhe më tepër.

Emigrantët e ligjshëm janë të ndarë. Disa janë kundër ashpërsimit të zbatimit të ligjit, deportimit të të huajve të paligjshëm dhe ndërtimit të një muri përgjatë kufirit me Meksikën. Të tjerë e mbështesin.

“Nuk mendoj se të ligjshmit duan që emigrantë të paligjshëm, në veçanti nëse kanë kryer krime, të qëndrojnë në këtë vend,” thotë David Wang, i organizatës “Kinezo-Amerikanët për Trump-in”.

Emigrantët pa dokumente përbëjnë 3-4 për qind të popullsisë amerikane. Ndërsa zbatimi i ligjit po ashpërsohet, udhëheqës lokalë thonë se tashmë debati është zhvendosur nga Uashingtoni drejt qyteteve amerikane.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG