Lidhje

Shqipëri, rritje ekonomike rreth 3 për qind


Në Shqipëri, ekonomia e vendit u rrit me 3,08 përqind në tremujorin e tretë të vitit 2016. Të dhënat u publikuan sot nga Instituti i Statistikave, Instat. Kontributin kryesor në këtë rritje rezulton ta kenë dhënë degët: 'Tregti Hotele dhe Restorante' si dhe 'Transporti' me +1,12 pikë përqindje, 'Ndërtimi' me +0,77 pikë përqindje, 'Aktivitetet financiare dhe të Sigurimit' me +0,42 pikë përqindje, 'Shërbimet e tjera' me +0,29 pikë përqindje, 'Bujqësia, Pyjet dhe Peshkimi' me +0,25 pikë përqindje. Negativ kontributi i grupit 'Industria, Energjia dhe Uji' me -0,30 pikë përqindje dhe 'Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative' me -0,08 pikë përqindje.

Sipas Instat-it, rritja më e madhe në tremujorin e tretë është rregjistruar nga grupi ‘Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit’, me +15,40 përqind i ndjekur nga grupi ‘Shërbime të tjera’ me +13,40 përqind. Megjithatë të dy këta grupe nuk kanë një peshë të madhe në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB. Bie në sy ndërkohë një rritje e ndjeshme e aktivitetit të “Ndërtimit” me +8,33 përqind, i grupit ‘Tregti, Hotele, Restorante dhe Transport’, me një rritje prej 6,67 përqind. Në ndryshim nga dy tremujorët e mëparshëm, grupi ‘Bujqësi, Pyje dhe Peshkim’ pati një rritje pozitive me +1,57 përqind. Rënie prej -2,35 përqind shënoi aktiviteti i “Industrisë, Energjisë dhe Ujit’, i ndikuar ndjeshëm nga ecuria e sektorit të Industrisë nxjerrëse (naftë dhe minerale) e cila po vuan pasojat e çmimeve të ulta në tregjet ndërkombëtare. Industria nxjerrëse sipas Instat-it shënoi një rënie me - 19,57 përqind. Negative dhe rritja e grupit të aktiviteteve ‘Informacioni dhe Komunikacion’, -1,16 përqind si dhe grupi ‘Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative’, - 1,38 përqind.

Sipas Instat-it për 9 muajt e parë të vitit 2016, ekonomia shqiptare është rritur me një ritëm prej 3,27 përqind. Kjo, si pasojë e rishikimit në rritje të PBB-së për dy tremujorët e parë të vitit, pas përditësimit të të dhënave, veçanërisht ato që lidhen me sektorin e Bujqësisë. Kështu, në tremujorin e parë të 2016-ës, ekonomia rezulton të jetë rritur me 3,3 përqind, përkundër 2,96 përqind të njoftuar fillimisht. Ndërsa në tremujorin e dytë, Prodhimi i Brendshëm Bruto ka qenë në kuotat e 3.4 përqind, nga 3,21 përqind të njoftuar në vlerësimin e parë.

XS
SM
MD
LG