Lidhje

Trump premton më shumë vende pune


Pesë ditë para inaugurimit, Presidenti i zgjedhur Donald Trump vazhdon të komentojë se si arriti të sigurojë fitoren e papritur në zgjedhjet e nëntorit, për të marrë një mandat katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Në komentet që bëri të dielën në Twitter, republikani Trump tha se kundërshtarët e tij demokratë "janë mjaft të zemëruar për faktin që aq shumë” votues, besnikë të asaj partie nga shtresa punëtore, të cilët kishin mbështetur presidentin demokrat Barack Obama në dy fushatat e tij të suksesshme presidenciale, u kthyen kundër demokrates Hillary Clinton dhe votuan për të.

"Me aq shumë vende punë që do të sjell përsëri në vendin tonë, ky numër do të rritet akoma më shumë,” komentoi zoti Trump. Ai shtoi se "Kompanitë e makinave dhe të tjera, nëse duan të bëjnë biznes në vendin tonë, duhet të fillojnë të prodhojnë përsëri këtu. Fitore!"

Gjatë 10 javëve që nga zgjedhjet, zoti Trump ka kritikuar prodhuesit e makinave, duke përfshirë Toyota dhe General Motors, dy nga më të mëdhatë në botë, për planet që kanë njoftuar se do të zgjerojnë operacionet në Meksikë në vend që ta bëjnë këtë në SHBA. Ndërkaq ka vlerësuar firmat Ford dhe Fiat-Chrysler për zgjerimi e planeve në Shtetet e Bashkuara.

Sondazhet tregojnë se zoti Trump i fitoi zgjedhjet duke joshur me sukses shumë punëtorë në zemrën industriale të vendit. Kjo i dha atij një avantazh në shtetet që e ndihmuan të fitojë zgjedhjet në Kolegjin Elektoral, i cili përcakton rezultatin e garës zgjedhore në SHBA, edhe pse zonja Clinton fitoi votën popullore me rreth 3 milion vota më tepër.

Në prag të inaugurimit

Trump bën betimin si presidenti i 45-të i SHBA, të premten në mesditë në Uashington, ndërkohë që Obama largohet pas tetë vjetësh në Shtëpinë e Bardhë.

"Dita e Inaugurimit do të jetë edhe më madhështore sesa pritej,” komentoi zoti Trump në Twitter.

Të dielën, njësi ushtarake organizuan një provë të përgjithshme për paradën e inaugurimit.

Qindra mijëra njerëz, një pjesë e tyre protestues kundër fitores së zotit Trump, pritet të mbushin kryeqytetin amerikan. Ata do të jenë të pranishëm në inaugurimin e zotit Trump dhe do të ndjekin fjalimin e tij të betimit dhe paradën atë pasdite në bulevardin Pennsylvania, nga Kapitoli për në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG