Lidhje

Nisin verifikimet për pasurinë e deputetit Peza


Në Shqipëri Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI) njoftoi se ka nisur procedurat e të kontrollit të plotë dhe hetimit administrativ për të gjitha deklaratat e interesave private që prej vitit 2003, të deputetit Alfred Peza. Verifikimi ndaj tij nisi pasi në shtyp u publikua fakti se bashkëshortja e deputetit socialist kishte blerë në fillim të vitit 2015, 1 për qind të aksioneve në bankën Credins për një vlerë prej 113 milion lekësh që me kursin aktual i korrespondon afërsisht me 880 mijë dollarë amerikanë. “Objekt i këtij kontrolli nuk do të jenë vetëm pasuritë e subjektit në fjalë, burimet e krijimit dhe ligjshmëria e tyre, por gjithashtu edhe gjendja e konfliktit të interesit. Mbledhja e të dhënave dhe informacioneve, kryerja e veprimeve verifikuese dhe hetimit administrativ do të shtrihet edhe për familjarët, bashkëshorten e tij, fëmijët, si dhe personat e lidhur”, saktëson njoftimi i Ildkpki-së, ndërsa shton se “Inspektori i Përgjithshëm ka kërkuar kryerjen e një hetimi tërësor brenda një kohe sa më të shpejtë të mundshme”.

Menjëherë pas këtij njotimi reagoi deputeti Peza. “Mirëpres kontrollin e plotë dhe hetimin administrativ që ILDKPKI ka nisur sot në lidhje me pasurinë e familjes time. Inkurajoj ILDKPKI-në t’i shkojë deri në fund, me shpejtësi, paanësi dhe profesionalizëm këtij hetimi të thellë e shterues”, shkroi ai në Facebook. Në mbrëmje, në mjediset e jashtme të parlamentit, deputeti Peza, i cili u zgjodh si përfaqësues i Partisë socialiste në zgjedhjet e 2013, pas një karriere të gjatë në median e shkruar dhe televizive duke mbajtur pozicione drejtuese, për shumë vite, theksoi se pasuria prej 113 milion lekësh me të cilat bleu aksionet në një bankë private, është vënë nga kursimet. Zoti Peza tha se gjatë viteve që ka punuar si drejtues në media ai ka patur paga mjaft të larta disa million lekëshe, ndërsa shtoi se pas vitit 2013, kur ai është bërë deputet, pasuria e tij nuk është shtuar, përveç interesave nga depozitat bankare. Në deklaratën e tij në mars të 2014, zoti Peza në fakt ka deklaruar që e shoqja të jetë zotëruese e një depozite bankare me vlerë 97.7 milion lekë, ndërsa ai vetë i një depozite prej 94 mijë lekësh, perveç dy apartamenteve një në Tiranë dhe një në bregdetin e Durrësit.

XS
SM
MD
LG