Lidhje

Administrata Trump dhe ndihmat ndërkombëtare


Gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës së tij, kandidati i Donald Trumpit për sekretar shteti, Rex Tillerson u vu përballë pyetjeve se si do të sigurohej se ndihmat që japin Shtetet e Bashkuara si vendi më i madh donator, nuk do të përvetësoheshin nga regjime të korruptuara.

“Nëse dërgojmë ndihma në një vend ku e dimë se ekziston ky rrezik, duhet të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë në mënyrën si e lëvrojmë këtë ndihmë,” përgjigjet zoti Tillerson.

Presidenti i zgjedhur Trump dhe administrata e tij ka të ngjarë të kenë si përparësi ndihmat për të forcuar të drejtat e pronës, sundimin e ligjit dhe masat kundër korrupsionit në vende të tjera.

“Një pjesë tepër e madhe e ndihmave që kanë dhënë vendet perëndimore ka përfunduar si fonde për t’u siguruar pushtetin regjimeve të korruptuara,” thotë James Roberts, analist në Fondacionin “Heritage”.

Disa programe që zgjojnë revoltë të thellë tek grupe konservatore fetare në Shtetet e Bashkuara pritet të rishikohen tani që edhe Shtëpia e Bardhë, edhe Kongresi do të jenë nën kontrollin e republikanëve.

“Pa diskutim jemi të shqetësuar, sidomos për programet e planifikimit familjar dhe shëndetit të sistemit riprodhues, sidomos në parandalimin dhe mjekimin e HIV-Sidës,” thotë Amanda Glassman e cila punon për Qendrën për Zhvillim Global.

Sekretari aktual i Shtetit mendon se Amerika duhet t’i shtojë fondet për programet ndërkombëtare që arrijnë në 34 miliardë dollarë për këtë vit buxhetor. Sekretari John Kerry ka propozuar një Plan të ri Marshall, sidomos në mbështetje të programeve informuese për ata që rrezikohen të indoktrinohen nga fondamentalistët myslimanë.

“Në botë ka rreth 1 miliard e gjysmë fëmijë nën moshën 15 vjeç. Mbi 400 milionë prej tyre nuk do të ndjekin shkolla; ky fakt përbën problem për ne,” shprehet Sekretari Kerry.

Gjatë administratave të ndryshme diplomacia, programet e zhvillimit dhe ndihmave ndërkombëtare kanë gjetur mbështetje dypartiake. Diplomatët amerikanë janë deri diku optimistë se administrata e ardhshme do të vazhdojë t’i shohë këto programe si investime të vlefshme për interesat ekonomike dhe të sigurisë amerikane.

XS
SM
MD
LG