Lidhje

Perspektiva e afrimit SHBA-Rusi shqetëson Kinën


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka lënë të kuptohet se lidhjet me Moskën mund të përmirësohen pasi ai të marrë drejtimin e vendit. Pikërisht kjo ndjesi ka qënë burim i një debati të nxehtë në Shtetet e Bashkuara, që pritet të vazhdojë edhe pas inaugurimit të presidentit të premten. Përtej Paqësorit në Kinë, kjo ndjesi ka shtuar shqetësimet mes zyrtarëve kinezë, sepse disa besojnë se nëse lidhjet mes Rusisë dhe Amerikës përmirësohen kjo do të ishte shenjë e keqe për Pekinin.

Në Perëndim, njerëzit kanë qënë shumë të shqetësuar rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe angazhimit të zotit Trump, por janë të paktë ata që besojnë në idenë se ai mund të largojë Rusinë nga partneriteti me Kinën”, thotë David Kelly i grupit hulumtues “China Policy” në Pekin.

“Në Kinë, kjo shihet me seriozitet dhe është pjesë e spekulimeve të përditshme.”

Ndryshimi i ekuilibrave

Në grupet e ekspertëve me ndikim në Pekin dhe median shtetërore duket qartë shqetësimi. Propaganda mediatike kineze i ka ngritur lart lidhjet mes Rusisë dhe Kinës dhe ka ulur tonin për mundësinë e një lloj afrimi amerikano-rus.

Shkrimet në media argumentojnë se ndërsa Moska dhe Uashingtoni mund të gjejnë njëfarë gjuhe të përbashkët në çështje si Siria dhe nevojën për të luftuar sëbashku Shtetin Islamik, marrja e vendimeve se si të ndajnë pushtetin pas përfundimit të konfliktit nuk do të jetë aq e thjeshtë.

Një artikull i gjatë për marrëdhëniet kino-ruse në gazetën “People’s Daily” me autor Zhong Sheng, i cili shihet si përçues i pikpamjeve të zyrtarëve të lartë partiakë, thekson atë që e quan “rol të qëndrueshëm” që luajnë lidhjet Pekin-Moskë në çështjet globale.

Në të njëjtën kohë, megjithatë, ka një shqetësim se mund të ndryshojë balanca që favorizon Pekinin në një drejtim që mund të sfidojë edhe më tej ambicjet rajonale dhe globale të Kinës.

Tre Mbretëritë

Analisti Kelly thekson se ka një prirje kulturore në Kinë për t’i parë marrëdhëniet diplomatike si marrëdhënie trekëndëshi. Kjo, thotë ai, i ka rrënjët tek romani i njohur kinez, “Romanca e Tre Mbretërive”, në të cilin flitet për një betejë tre palëshe, ku dy janë kundër njërit dhe jo kundër atij që është më i dobëti. “Është diçka që njerëzit e kuptojnë, si një ngjarje olimpike”, shton ai.

Nëse presidenti i zgjedhur Donald Trump mund të gjejë një mënyrë për të kaluar përtej sanksioneve dhe zbutur lidhjet me Moskën, Pekini mund të përfundojë në anën e dobët të trekëndëshit. Nga pikëpamja e Pekinit kjo nuk do të ishte gjë e mirë, në një kohë kur Kina po përpiqet të përcaktojë një axhendë tregtare për rajonin dhe Evropën ndërsa përballet me presionin e ngadalësimit të ekonomisë.

Analisti Stephen Blank i “Këshillit Amerikan për Politikën e Jashtme” thotë se për shumë njerëz në Kinë, forcimi i lidhjeve amerikano-ruse nënkupton se marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës mund të cenohen.

“Pekini është në ankth se mos rusët, të cilët gjatë gjithë kohës kanë mbajtur një qëndrim anti-amerikan, mund të fillojnë të mendojnë ndryshe”, thotë analisti Stephen Blank. Deri tani “marrëdhëniet kino-ruse janë bazuar në masë të madhe në mohimin e interesave amerikane në rendin global. Kjo do të cenohej nëse ka përmirësim të marrëdhënieve amerikano-ruse”, thekson ai.

Partner i përkohshëm ?

Qëkur Rusia pushtoi Krimenë, marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës janë përmirësuar. Sanksionet e shkëputën Moskën nga tregjet perëndimore dhe investimet, dhe hapën portën për Pekinin që të futej dhe të forconte lidhjet. Presidenti kinez Xi Jinping ka investuar kapital të madh politik në këto marrëdhënie me Vladimir Putinin, duke bërë edhe një vizitë shtetërore vitin e kaluar. Megjithatë, besimi mes Pekinit dhe Moskës nuk ka qënë diçka e lehtë. Blogjet në median sociale dhe komentet në internet rreth Rusisë shpesh shprehin skepticizëm për bashkëpunimin mes dy vendeve.

Një raport i kohëve të fundit se Rusia kishte ndërprerë prodhimin e motorëve Sukhoi-35 për avionët luftarakë që i kishte shitur Kinës, i ka zemëruar disa. Shumë njerëz argumentojnë në internet se ishte Rusia dhe jo Amerika kundërshtari kryesor i Kinës.

Gao Fei i njohur për opinionet në “Global Times” dhe drejtor i Qendrës Kërkimore Ruse në Universitetin kinez për Marrëdhëniet me Jashtë, ndërhyri për të qetësuar njerëzit, duke shtruar pyetjen se kush përfiton më shumë nga sabotimi i marrëdhënieve kino-ruse. Ai theksoi se me çdo marrëveshje komerciale vinë dhe masat ligjore kundër vjedhjes së adresave të internetit.

Megjithëse opinionistët kinezë janë duke folur rreth rolit të vendimtar që dy vendet luajnë në çështjet globale, ata po ashtu kanë shprehur hapur shqetësimet rreth ambicjeve politike të Putinit, duke theksuar se Moska mund të jetë vetëm një partner i përkohëshëm. Kjo ide i ka burimet madje para se zoti Trump të zgjidhej president.

XS
SM
MD
LG