Lidhje

Bisedimet e paqes për Sirinë


Përfaqësues të qeverisë siriane dhe të opozitës u mblodhën sot në kryeqytetin e Kazakistanit për bisedime të paqes, me ndërmjetësimin e Rusisë dhe Turqisë. Burime të forcave rebele thanë se në bisedimet e paqes nuk do të ketë negociata të drejtpërdrejta.

Bisedimet në Astana pritet të fokusohen për ta bërë të qëndrueshëm armëpushimin e arritur në dhjetor, me pjesëmarrjen e të gjitha palëve në konflikt, me ndërmjetësimin e Rusisë, Iranit dhe Turqisë. Ky armëpushim ka rezistuar në shumicën e rasteve, ndryshe nga marrëveshje të mëparshme armëpushimi, ku qenë përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara., të cilat u shkelën nga palët ndërluftuese.

Por pas disa raunde bisedimesh sot, ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara Bashar Jaafari, e akuzoi opozitën për sjellje të papërgjegjshme.

Grupi i rebelëve e ndaloi pjesëmarrjen në bisedimet në fillim të muajit, sipas tyre, si protestë ndaj shkeljes së armëpushimit.

Rusia dhe Turqia ftuan edhe Shtetet e Bashkuara të merrnin pjesë në bisedime me një delegacion të veçantë, përmes një kërkese drejtuar Presidentit Donald Trump, para inaugurimit, por duke cituar anëtarë të ekipit të tranzicionit, Departamenti i Shtetit tha se në bisedimet e paqes për Sirinë do të merrte pjesa ambasadori amerikan në Kazakistan.

Megjithë mosmarrëveshjet lidhur me ndërhyrjen ushtarake ruse në Siri, Kremlini duket se kërkon pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në procesin e paqes.

Në bisedimet për Sirinë po merr pjesë edhe i dërguari i Kombeve të Bashkuara Staffan de Mistura. Ato pritet të vazhdojnë, të paktën edhe nesër.

XS
SM
MD
LG