Lidhje

FMN: Shqipëria të vijojë me reformat ekonomike


Në Shqipëri, Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandon autoriteteve të çojnë përpara reformat ekonomike të cilat konsiderohen jetike për rritjen e besimit, nxitjen e investimeve dhe fuqizimin e perspektivës së rritjes

Një mision i Fondit, tha sot në Tiranë, në përfundim të programit 3-vjeçar me Shqipërinë, se vendi duhet të vijojë me “zgjerimin e të ardhurave për të fuqizuar financat publike dhe për të siguruar qëndrueshmërinë në kohë të borxhit, me uljen e nivelit të kredive nën standard për të fuqizuar stabilitetin financiar dhe për të mbështetur rimëkëmbjen e huadhënies, dhe të çojë përpara reformat strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.

Drejtuesja e misionit të FMN-së Anita Tuladhar, theksoi se “në këto fusha është arritur progres i rëndësishëm por nevojitet të punohet më tej për t’I çimentuar këto arritje”. Në këtë aspekt, theksoi ajo “objektiva të rëndësishëm mbeten fuqizimi I administratës tatimore, zgjerimi i bazës tatimore dhe zbatimi i një tatimi mbi pronën me bazë vlerën. Përmirësimi i drejtimit financiar publik do të ndihmojë në sigurimin e shpenzimeve publike më efikase dhe në mbajtjen në kontroll të detyrimeve të prapambetura. Nevojitet një zbatim i shpejtë i strategjisë për zgjidhjen e kredive nën standard për të fuqizuar huadhënien për sektorin privat. Për të rritur aftësinë konkurruese me rëndësi kritike do të jenë reformat strukturore për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të biznesit, zgjidhjen e mangësive infrastrukturore dhe rritjen e kualifikimit të krahut të punës”.

Misioni vlerësoi si të sukseshëm programin e realizuar me Shqipërinë. “Programi ka arritur objektivat bazë të korrigjimit të çekuilibrave të mëdhenj makroekonomikë dhe të fuqizimit të rritjes ekonomike. Janë përmbushur shumica e objektivave të synuar sasiorë. Pavarësisht nga disa vonesa, është arritur një progres përgjithësisht i mirë në vënien në zbatim të reformave strukturore. Programi e ka vendosur ekonominë shqiptare në rrugën drejt financave publike solide, stabilitetit financar dhe rimëkëmbjes ekonomike”, deklaroi zonja Tuladhar.

Misioni, miratoi rishikimin e nëntë dhe të dhjetë të programit të përbashkët i cili i lejon Shqipërisë të tërheqë dhe dy këstet e fundit prej 72,4 milionë eurosh, pas vendimit përfundimtar që duhet të merret nga Bordi ekzekutiv i FMN-së.

Si Shqipëria dhe Fondi janë shprehur të interesuara për një program të ri bashkëpunimi. “Pavarësisht se program është në mbyllje ne do të vazhdojmë që të punojmë me autoritetet shqiptare për hapat që vijnë pas programit, përfshirë këtu dhe monitorimin pas programit si dhe asistencën teknike dhe punën këshillimore që ne i ofrojmë qeverisë. Nëse autoritetet shqiptare pas zgjedhjeve do të kërkojnë një program të ri me FMN-ën, ne sigurisht që jemi të gatshëm”, nënvizoi drejtuesja e misionit. Dhe në fakt, vendimi dhe forma që do të ketë një marrëveshje e re e mundshme, do të duhet të përcaktohet nga qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e qershorit të këtij viti.

XS
SM
MD
LG